Një 19 vjeçar ka vdekur pas aksidentit zinxhiror që ka ndodhur sonte në fshatin Shajkoc të Podujevës ku të përfshira ishin tre vetura dhe një traktor.
Kryetari i këtij fshati, Ramush Jupolli ka thënë që ky rast tragjik, ka qenë i dhimbshëm për të gjithë, jo vetëm për familjen e të ndjerit.
“Ka ndodhur një rast shumë i rëndë në fshatin tonë. Kemi shumë dhimbje, pasi na ka vdekur një i ri në moshën më të mirë. Me këtë rast, i shpreh dhimbje edhe babait të tij, i cili nuk është këtu. Ai ka shkuar të mbajë familjen, duke e ditur që shteti jonë nuk po ka vend për rini, ai aty ka shkuar për bukën e gojës”, ka thënë ai.
Jupolli ka thënë që fajtor për këtë aksident, ka qenë traktori pa sinjalistikë.
“I riu A.B, i cili ka qenë duke udhëtuar për në Podujevë me vëllaun e tij, ka hasë në traktorin i cili ka qenë pa drita. Ka qenë koha më e vështirë për komunikacion dhe nuk e ka vërejtur fare”.