Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka publikuar raportin vjetor mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në institucionet korrektuese të Kosovës. Sipas raportit, gjendja e përgjithshme e trajtimit të personave të dënuar dhe të paraburgosur si dhe kushteve të banimit në institucionet korrektuese ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm.
Siç thuhet në njoftim, poashtu janë shtuar aktivitetet e punës për të dënuarit nëpër institucionet korrektuese, duke përfshi edhe punën jashtë institucioneve të vuajtjes së dënimit.
Megjithatë sipas QKRMT-së, disa probleme sistemore ende nuk janë tejkaluar në SHKK, duke shtuar se ka ngecur në proces trajtimi i të dënuarve në baza individuale për një proces rehabilitimi dhe riintegrimi të tyre në shoqëri pas lirimit.
“Është iniciuar Ligji për ShKK i cili mund të rregullojë shumë aspekte të këtij Shërbimi, ndërsa ka ngecur në proces plotësim-ndryshimi i Ligjit për Sanksione Penale. Po ashtu, shumë nga udhëzimet administrative që burojnë nga ky Ligj nuk janë nxjerrë ose nuk janë të harmonizuara me njëra tjetrën”, thuhet në njoftim.
QKRMT u ka bën thirrje institucioneve që të ndërmarrin iniciativa për ndryshime ligjore për lehtësimin e jetës së të dënuarve në rrethanat e pandemisë. Gjithashtu kjo qendër e vlerëson si shumë të nevojshme plotësim-ndryshimin e ligjeve ekzistuese që mundëson lirimin e një numri të të dënuarve me dënime afatshkurtëra, pezullimin e dënimit për shkaqe shëndetësore (të moshuar dhe me sëmundje kronike), apo nxjerrjen e Ligjit për Amnisti etj.
Ndërkaq Këshillit Gjyqësor i është bërë thirrje për lirim më të madh të të dënuarve me kusht si dhe aplikim më të gjerë të masave alternative ndaj paraburgimit.