(E plotësuar 10:25) - Mbi 2 mijë punëtorë teknik në spitalet rajonale në Kosovë dhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare kanë hyrë në grevë në orët e hershme të ditës së sotme për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre për pagesat shtesë nga ana e Qeverisë.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, pas takimit me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se do i japin kohë Qeverisë deri të martën që të plotësojnë kërkesat e tyre.
“Kërkesat ata i shohin të arsyeshme, sot brenda ditës do të diskutohet që Qeveri që të merret një vendim. Se cila do të jetë shuma, sot ose nesër të merret një vendim. Kemi kërkesë imediate që të fillohet të bëhet pagesa para festave të vitit të ri”, ka thënë ai.
(08:22) - Rreth 2 000 punëtorë teknikë në spitalet dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare kanë hyrë në grevë, pas mosrealizimit të kërkesave për pagesat shtesë nga Qeveria.
Kërkesë për grevë i janë përgjigjur edhe punëtorët e Qendrës Kryesore Familjare në Prishtinë. Ata kanë bojkotuar punën dhe janë mbledhur në korridorin e kësaj qendre.
Kryetari i Sindikatës se Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka thënë se në të gjithë vendin, me përjashtim të QKUK-së, do të futen në grevë.
“Në ketë grevë do të marrin pjesë të gjitha spitalet regjionale që kanë punëtorë të sektorit privat dhe ambullantat dhe qendrat e mjekësisë familjare “, ka thënë ai.
***
Rreth 2000 punëtorë teknikë në spitalet e Kosovës sot do të hyjnë në grevë, pas mos realizimit të kërkesave për pagesat shtesë nga Qeveria, ashtu siç janë paguar kategoritë tjera në sektorin e shëndetësisë.
Kryetari i Sindikatës se Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi dje ka bërë të ditur se në të gjithë vendin, me përjashtim të QKUK-së, do të futen në grevë.
Ai thotë se pronarët e kompanive nuk duhet t’iu bëjnë presion punëtorëve për mbajtjen e grevës, pasi punëtorët janë duke kërkuar të drejtat e tyre.
Greva sipas tij, po mbahet me kërkesën e rreth 2000 punëtorëve.