Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka pritur sot në takim Burim Buleshkajn – drejtor i Burgut të Sigurisë së Lartë në Gërdoc.
Gjatë takimit të sotëm, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë, Burim Buleshkaj biseduan për bashkëpunimin në mes dy institucioneve, duke pasur parasysh faktin se institucioni korrektues ndodhet në territorin e Komunës së Podujevës.
Me këtë rast drejtori Buleshkaj, që shoqërohej nga Idriz Shabani -zëdhënësi i Burgut, uroi kryetarin Bulliqi për marrjen e detyrës së kryetarit të Komunës.
Kryetari Bulliqi premtoi bashkëpunim të plotë me udhëheqësin e Burgut të Sigurisë së Lartë, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me infrastrukturën, respektivisht mirëmbajtjen gjatë dimrit të rrugës që shpie deri te ky institucion.