Mbrëmja e kaluar nuk ishte aspak e qetë, një rast tragjik ndodhi në Prishtinë kurse në Podujevë pati të shtëna armësh e persona të plagosur.
Mbrëmë u raportua lidhur me një vetëvrasje që ndodhi tek ‘Parku i Arbërisë’ apo njohur ndryshe si ‘Dragodan’.
Personi i cili kreu vetëvrasje në këtë vend ishte kolonel në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
I njëjti kishte dalë nga shtëpia duke e marrë me vete armën zyrtare e më pas duke i dhënë fund jetës së tij.
Zyrtarisht ende nuk është bërë e ditur nëse i njëjti pati probleme të ngjashme edhe më parë, por që atë e kanë kujtuar shumë miq të tij.
Ibrahim Shala, drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, konfirmuan mbrëmë se bëhet fjalë për kolonel Gyner Murati.
“Po e konfirmojmë lajmin, se ka ndodhur rasti tragjik ku oficeri i FSK-së kolonel Gyner Murati ka bërë vetëvrasje. Policia e Kosovës dhe e FSK-së janë duke u marrë me rastin. Për çdo informacion të ri do t’ju njoftojmë me kohë”, ka thënë ai.
Pak orë më vonë një ngjarje aspak e zakonshme ndodhi në Podujevë.
I dyshuari B.H, i njohur me pseudonimin ‘Ciprra’ tentoi të futej në një lokal të kësaj komune por nuk u lejua. Me këtë rast i njëjti plagosi dy persona, të cilët edhe u sollën në QKUK për tretman të mëtutjeshëm.
Përpos kësaj, i dyshuari me të dalë nga lokali shtiu me armë edhe në drejtim të zyrtarëve policorë, që për fat të mirë nuk morën ndonjë lëndim.
Pas kësaj ngjarje, Policia e Kosovës u vu në ndjekje të të dyshuarit, por sipas burimeve, ai vazhdon të jetë në arrati.
B.H ishte i burgosur, por që ishte liruar dy muaj më parë teksa më parë po qëndronte në burg për shkak të një plagosje të kryer më herët.