Deri të premten, më 8 janar, disa komuna të Kosovës do të jenë në zonën e kuqe, pra zonë me rrezikshmëri të lartë të përhapjes së COVID-19.
Këto komuna që bëjnë pjesë në këtë zonë janë: Prishtina, Fushë Kosova, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi.
Kështu ka njoftuar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj duke thënë se kemi trend të uljes së infeksionit.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, në këto komuna ndalohet lëvizja e qytetarëve jashtë shtëpive/banesave të tyre nga ora 20:00 deri në orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore si dhe ndalohen hyrje-daljet e qytetarëve dhe automjeteve në territorin e komunës përkatëse nga ajo orë.
Operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga 05:00-20:00 ndërsa shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-20:00, kurse pas orës 20:00 punojnë vetëm me shërbim “porosi me dërgesë”.
Në zonën e verdhë janë po ashtu 6 komuna: Mitrovicë e Jugut, Graçanicë, Obiliq, Podujevë, Junik dhe Gjilan.
Ndërsa në të gjelbrën janë 26 komuna:Kllokot, Lipjan, Gjakovë, Kamenicë, Ferizaj, Vushtrri, Pejë, Drenas, Skënderaj, Istog, Deçan, Shtërpcë, Klinë, Shtime, Novobërdë, Viti, Prizren, Suharekë, Kaçanik, Rahovec, Malishevë, Hani i Elezit, Dragash, Mamushë, Partesh dhe Ranillug.