Kuvendi merr vendim ta ndihmojë familjen e këshilltarit komunal, të arrestuar nga policia serbe

Kosova

Kuvendi merr vendim ta ndihmojë familjen e këshilltarit komunal, të arrestuar nga policia serbe

Më: 6 janar 2021 Në ora: 15:10
Kuvendi

Kuvendi i Komunës së Podujevës, ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën ka miratuar vendimin për mbështetje financiare në vlerë prej gjashtë mijë euro për familjen e këshilltarit komunal Blerim Maçastena, i cili muajin e kaluar u arrestua nga policia serbe dhe po mbahet në paraburgim në Serbi.

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme, të inicuar nga këshilltarja Tringa Sfishta me mbështetjen e 22 këshilltarëve të tjerë, të cilën e udhëhoqi kryesuesi Fatmir Gashi, e ku ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtorët e drejtorive.

Në mbledhjen e sotme inicuesja Tringa Sfishta tha se “arsyeja e thirrjes së mbledhjes së jashtëzakonshme është shprehja e mbështetjes dhe solidarizimi me kolegun asambleist, i cili padrejtësishtë po mbahet në paraburgim nga institucionet serbe”.

“Falenderoj të gjithë kolegët asambleistë të cilët mbështeten thirrjen e kësaj seance për të shprehur paknaqësinë tonë me aktin e ndodhur dhe për të shprehur solidaritetin tonë në mbështetje të familjes Maçastena me mjete financiare, për shpenzimet të vizitave dhe angazhimeve tjera” tha Sfishta.

Mbështetje propozimit në emër të Grupit të këshilltarëve të LDK-së i dha këshilltari Qendrim Softolli, i cili tha se bazuar në kontaktet e deritanishme institucionet relevante kanë vendosur kontaktet për ta mundësuar lirimin e asambleistit Maçastena, për çfarë është njoftuar familja e tij, mirëpo për shkak të ndjeshmërisë së rastit aktivitetet nuk janë publike.

Doruntina Hasani, nga Grupi i këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje mbështeti këtë iniciativë dhe bëri apel të institucionet qendore që të angazhohen deri në lirimin e asambleistit, ndërsa tha se institucionet lokale me kohë kanë reaguar për rastin.

Në emër të Partisë Demokratke të Kosovës, mbështetje iniciativës i dha shefi i grupit Fatmir Rudari, i cili tha se kjo është më e pakta që mund të bëhet për kontributin e Blerimit në vazhdimësi.

Mbështetje iniciativës i dha edhe asambleistja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Mrika Thaçi. Për këtë çështje u deklaruan edhe asambleistët Rafet Llapashtica (PDK) dhe Bajram Ajeti (LVV).

Mbështetje iniciativës për ta ndihmuar familjen e këshilltarit Maçastena i dha edhe Kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, i cili tha se nga marrja e lajmit ka zhvilluar të gjitha veprimet e nevojshme për të ndihmuar lirimin e sa më të shpejtë të tij.

“Si komunë që nga arrestimi i asamblesitit tonë kemi kontaktuar institucionet relevante dhe kemi kërkuar të ndërrmeren masat e nevojshme për lirimin e tij, po ashtu kemi kontaktuar edhe familjen. Mirëpo, kjo çështje tanimë ka kaluar në instanca të tjera dhe bazuar në informacionet që kam ka angazhime konkrete në këtë drejtim. Ne si Komunë do të zbatojmë çdo vendim që sot merr Kuvendi me qëllim që t’i dalim në ndihmë familjes Maçastena”, tha kryetari Bulliqi.

Kuvendi njëzëri mori vendim që t’i ndahen gjashtë mijë euro familjes Maçastena, për të ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve gjatë kohës që familjari i tyre Blerimi po mbahet në paraburgim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat