Në paraditen e së mërkurës është përfshirë nga zjarri Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Ilir Konushefci” në fshatin Llugë të Podujevës.
Për këtë ka reaguar ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj.
Likaj ka shprehur keqardhje për këtë, me ç’rast ka thënë edhe se do të bashkëpunojë me Komunën e Podujevës në mënyrë që të intervenohet sa më shpejt në këtë shkollë.
“Me keqardhje mësuam lajmin se paraditen e sotme Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Ilir Konushefci” në fshatin Llugë të Podujevës është përfshirë nga zjarri. Përveç dëmeve në infrastrukturën e objektit, për fat të mirë, nuk ka të lënduar nga ky rast. Në mënyrë që nxënësit të mos humbin asnjë orë mësimore do të ofrohet mësim online. Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të bashkëpunojë ngushtë me Komunën e Podujevës, në mënyrë që të intervenohet sa më shpejt në pjesën e objektit të dëmtuar nga zjarri dhe nxënësit të kthehen në shkollë për ta vazhduar procesin e rregullt mësimor”, ka shkruar Likaj në “Facebook”.