Rreth 345 mijë nxënës dhe të gjithë mësimdhënësit në Kosovë do të kenë mundësinë që përmes adresës së tyre elektronike të kyçen në platformën digjitale shkollat.org dhe të kenë çelësin e programit shkollor të digjitalizuar në Kosovë.
Një gjë e tillë është mundësuar falë bashkëpunimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me UNICEF-in në Kosovë.
Me këtë rast u tha se në këtë platformë do të ngarkohen mbi 14 mijë video mësimore dhe jo vetëm, e që po ashtu do të jenë nën mbikëqyrjen e MASH-it.
Ministri në detyrë i Arsimit Ramë Likaj tha se nga sot kjo platformë do të ndërlidhë nivelet e arsimit para universitar e shërbimet e Microsoft Office 365. Sipas tij, do të ofrojë mundësinë që 345.000 nxënës dhe të gjithë mësimdhënësit të kenë adresën e tyre të postës elektronike për t’u kyçur në platformën digjitale shkollat.org.
Likaj: Mbi 14 mijë ligjërata për moshën 1-9 janë prodhuar për transmetim në TV
“Platforma Digjitale Online e Zhvillimit të Fëmijërisë së Hershme është lansuar për të ndihmuar zhvillimin e shkathtësive të fëmijëve në shtëpi. Momentalisht, platforma ka 209.000 përdorues dhe 2.6 milionë vizitorë. Janë diku 5.000 pako të materialeve didaktike për fëmijët prej 0-6 vjeç, dhe janë të shpërndara në mbarë Kosovën. 1, 600 mësimdhënës janë trajnuar mbi rëndësinë e platformës digjitale. Ministria e Arsimit ka alokuar 1.139.000 euro për pajisje digjitale për nxënës. 14.910 video ligjërata për moshën 1-9 janë prodhuar për transmetim në TV”, ka njoftuar Likaj.
Koordinatorja e agjencive të OKB-së në Kosovë, Ulrika Richardson ka uruar MASH-in, duke thënë se platforma e lansuar sot është mjaft e rëndësishme për zhvillimin e sistemit arsimor.
Richardson: Kjo platformë është shumë e rëndësishme
“Nëse është ndonjë hap që duhet ndërmarrë është që t’i kemi fëmijët në qendër të rikuperimit nga COVID-19. Ne si UNICEF së bashku në familjen e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në vazhdimisht kemi bërë thirrje t’i vendosim fëmijët në qendër si prioritet nga perspektiva të ndryshme si ajo e shëndetit, edukimit si dhe nga ana ekonomike... Kjo platformë është shumë e rëndësishme pasi të gjithë e dimë se ka shumë fëmijë në Kosovë që jetojnë në kushte ku mësimi nga shtëpia nuk është i mundur ku ambienti i shtëpisë nuk është i përshtatshëm për të mësuar, nuk është ndoshta as i sigurt dhe as i shëndetshëm”, ka thënë ajo.
Ndryshe, platforma implementohet nga MASH, ndërsa mbështetet nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë në partneritet me Microsoft dhe Universitetin e Kembrixhit.