Votuesit jashtë vendit kanë adresuar kërkesë që të shtyhet afati për pranimin e votave të dërguara me postë. Lidhur me këtë Avokati i Popullit në Kosovë i ka bërë thirrje KQZ-së që t’i shqyrtojë këto kërkesa dhe që askush të mos privohet nga e drejta për të votuar.
“Kërkesë e veçantë e votuesve jashtë vendit ka qenë mundësia që të shtyhet afati për pranimin e votave të dërguara me postë. Lidhur me këto ankesa, Avokati i Popullit i bënë thirrje KQZ-së t’i shqyrtojë ato me qëllim që askush të mos privohet nga e drejta për të votuar”, thuhet në komunikatën për media nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
Ndërkohë, Avokati i Popullit njofton se është mobilizuar që të monitorojë procesin zgjedhor dhe thekson zyra kryesore dhe ato rajonale do të jenë të hapura në ditën e zgjedhjeve ku do të pranohen ankesat në rast të parregullsive që cenojnë të drejtën e votës së lirë.
Zgjedhjet në Kosovë pritet të zhvillohen të dielën e 14 shkurtit dhe partitë politike kanë nisur fushatën.
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani në deklaratat e tyre theksojnë se duan të krijojnë të vetëm qeverinë.
Fatmir Limaj është në luftë për të kaluar pragun.
Ndërsa Haradinaj shpreson të arrijë që përmes votës së qytetarëve të imponohet për të marrë postin e presidentit.
As Avdullah Hoti nuk qëndron duarkryq, pasi e quan avantazh rolin e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare, në marrëveshjen e Uashingtonit dhe njohjen e Kosovës nga Izraeli.
Sakaq, Partia Demokratike e Kosovës po shkon në këto zgjedhje me një lider të ri, Enver Hoxhaj.