Në fushatën elektorale në Kosovë, gratë po përdoren më shumë për ‘dekor’

Kosova

Në fushatën elektorale në Kosovë, gratë po përdoren më shumë për ‘dekor’

Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 21:06
Leonida Molliqaj

Gratë në këtë fushatë zgjedhore janë duke u anashkaluar.

Ato po marrin pjesë pak në tubime si dhe shumë rrallë paraqiten në debate televizive.

Kjo situatë po cilësohet si mendësi patriarkale e vetë partive politike.

“Ne mendojmë që partitë politike në Kosovë, janë duke shpërfaqur përsëri mentalitetin e tyre konservator e patriarkal ku burrat janë duke i vendosur në të gjitha pozitat kyçe dhe burrat i kanë marrë numrat kryesorë në parti, vetëm 30% e grave janë në lista zgjedhore, burrat po shkojnë në të gjitha debatet e krejt kjo më shumë flet për partitë politike sesa për gratë në përgjithësi", u shpreh Leonida Molliqaj nga Qendra për Informim Kritikë dhe Aksion "QIKA".

Për më tepër, mbajtjen e tubimeve elektorale nëpër Oda, të cilat tradicionalisht e kanë përjashtuar praninë e femrës, e bëjnë edhe më të vështirë garimin e grave në jetën politike.

“Ne e kundërshtojmë si organizatë këtë mënyrë tradicionale të organizimit për shkak se ne e dimë që odat historikisht i kanë përjashtuar gratë dhe kjo tregon shumë se si partitë politike nuk e kanë të rëndësishme se a dëgjojnë gratë për planet e tyre politike por edhe se si ata nuk i shtyjnë përpara, përfshirjen e grave në politikë", tha mw tej, Leonida Molliqaj.

Kjo organizatë ka monitoruar deri më tani prezencën e grave si kandidate apo analiste në debatet televizive ndër më të shikuarat, dhe prania e tyre është thuajse e pavërejtshme.

Mospërfshirja e grave në fushatë për zgjedhjet e 14 shkurtit është evidentuar edhe nga rrjeti i Organizatave Joqeveritare, "Demokracia në Veprim".

"Gratë përbëjnë 25% të pjesëmarrësve në aktivitetet zgjedhore, por vetëm 27% nga kandidatet gra i janë adresuar elektoratit. Në 259 debatet televizive të monitoruara nga 13 janari deri me 7 shkurt 2021 në 9 kanale televizive, gjithsej 402 kandidatë të subjekteve politike, vetëm 21% e tyre ishin gra", thuhet nga kjo organizatë.

Përveç kësaj, 'Demokracia në Veprim' ka evidentuar në mënyrë të vazhdueshme shkelje nga subjektet politike të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

“Nga aktivitetet e vëzhguara dhe nga informatat e marra nga tereni nga vëzhguesit e DnV-së, një pjesë e madhe e subjekteve politike nuk i raportojnë këto ngjarje në këshillat komunalë zgjedhor", u shpreh Ngadhnjim Halilaj.

Shqetësues mbetet fakti që subjektet politike vazhdojnë të mos respektojnë masat anti-Covid, duke tejkaluar numrat e lejueshëm të grumbullimit të qytetarëve në tubime publike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat