Avokati i Popullit e ka vlerësuar të qetë e demokratik procesin zgjedhor të 14 shkurtit.
Sipas njoftimit, ky institucion ka akredituar 43 vëzhgues për monitorimin e këtyre zgjedhjeve.
“Pjekuria e qytetarëve në njërën anë, angazhimi maksimal të cilin KQZ-ja e ka treguar në tërësinë e vet në përgatitjet dhe në organizimin e këtyre zgjedhjeve, kanë shënuar moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për respektimin e vullnetit të lirë të qytetarëve dhe nivelin e demokracisë në vend. Prandaj, nga perspektiva e respektimit dhe e ushtrimit të kësaj të drejte politike, Avokati i Popullit shpreh konsideratën dhe vlerësimin e tij maksimal. Po ashtu, Avokati i Popullit vlerëson Policinë e Kosovës për mbështetjen profesionale që ka ofruar përgjatë gjithë ditës së zgjedhjeve nëpër të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke garantuar siguri dhe mbarëvajtjen e procesit elektoral”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit duke e pasur parasysh vështirësinë që ka një proces zgjedhor, ka pasur segmente specifike nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut që kanë tërhequr vëmendjen e vëzhguesve të Avokatit të Popullit.
“Realizimi i zgjedhjeve në situatë pandemie ka imponuar kërkesa specifike përkitazi me masat anti-COVID. Mundësitë e zbatimit të distancës ndërmjet votuesve nuk kanë ekzistuar në secilën qendër votimi, në radhë të parë, por as ndërmjet administruesve të procesit. Ky problem është shfaqur veçmas në qendra të mëdha votimi (kryesisht në qytete), ku fluksi i votuesve ka qenë më i madh. Megjithatë ka pasur respektim sa i përket bartjes së maskave dhe përdorimit të dezinfektuesve”, thuhet në njoftim.
Në anën tjetër, Avokati i Popullit, thotë se shumica e shkollave që shërbenin si qendra votimi nuk ofronin kushte të përshtatshme infrastrukturore.
“Të shumtën e herëve, vendvotimet ishin në katet e dyta apo në të treta dhe kjo ka paraqitur vështirësi në realizimin e së drejtës së tyre për të votuar. Ndërkaq, pothuajse të gjitha qendrat e votimit kanë qenë të pajisura me fletëvotime me alfabet të Brajlit, për rastet kur votuesit mund të jenë persona të verbër”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, bazuar në mandatin specifik që ka Avokati i Popullit, ka monitoruar për së afërmi institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria, duke theksuar se ka pasur raste kur persona të privuar nga liria nuk kanë pasur mundësi të votonin, sepse emri i tyre nuk ka qenë në listat e ekipit mobil, ndërkaq nuk janë verifikuar aty për aty edhe me listën e përgjithshme të votuesve.
“Po ashtu, nën monitorimin e vëzhguesve nga IAP-ja ishin edhe shtëpitë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, shtëpitë integruese në bashkësi, Qendra për Integrim dhe Rehabilitim të të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë (QIRSKP) dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK). Në këto institucione, administrimi i votimit është bërë nga ekipet mobile të KQZ-së. Për më tepër, përkitazi me ecurinë e procesit elektoral në të gjitha fazat e tij, Avokati i Popullit do të dalë me raport më të detajuar dhe gjithëpërfshirës, përfshirë raportimet gjatë ditës së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 14 shkurt 2021”, thuhet në njoftim.