Nga 210 libra do të pranojnë bibliotekat komunale në Kosovë, libra të cilët janë botuar dhe blerë me financimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) përkatësisht Departamenti për Kulturë në këtë ministri.
Në ceremoninë e shpërndarjes së këtyre librave, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, tha se është e njoftuar me problemet që ballafaqohen komunat e sidomos bibliotekat komunale.
"Këtë fond e shpërndajmë në 37 komuna, e shpërndajmë edhe në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë dhe kjo më bënë të ndjehem shumë mirë. Ne sivjet e kemi rritur buxhetin dhe kemi mbështetur librin", tha ajo.
Drejtoresha e Departamentit të Kulturës në MKRS, Jehona Shyti, tha se do të vazhdojnë edhe më tutje të përkrahin bibliotekat komunale.
"Departamenti i Kulturës do të vazhdojë edhe më tutje përkrahjen e bibliotekave komunale, duke e ditur se ato kanë vështirësi për financimin. Mbështetja nuk përfundon këtu sepse ne në vazhdimësi kemi përkrahur këto biblioteka. Kjo politikë është politikë e dyfishtë e financimit të librit", tha ajo.
Drejtori i Bibliotekës së Prishtinës, Munish Hyseni, tha se i gëzohen çdo donacioni me libra që marrin.
"Gjendja e bibliotekave të qyteteve të Kosovës është një gjendje e rëndë, prandaj ne i gëzohemi cdo dhurimi i librit", tha ai.