Lëvizja Vetëvendosje doli fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit me rezultat bindës, teksa ende s’ka përfunduar numërimi i të gjitha votave.
Partia e Albin Kurtit fitoi edhe në Komunën e Podujevës. Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, VV ka arritur t’i kapë 23.062 vota apo 59.45 për qind, pasuar nga LDK 9.366 vota apo 24.14 për qind dhe PDK radhitet e treta me 4.478 vota apo 11.54 për qind.
Vota dërrmuese VV mori edhe nga qytetarët llapjanë që jetojnë në diasporë.
Nga tavolina: 38 Lëvizja VETËVENDOSJE ka 210 vota, LDK 15, PDK 5, Nisma 5.
Ndryshe, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se deri në orët e mbrëmjes, numërimi i fletëvotimeve jashtë Kosovës do të përmbyllet.
“Pas përfundimit të numërimit, QNR-së i duhen disa orë kohë për të kryer procedurat e parapara për të përmbyllur administrimin për rezultatin e zgjedhjeve”.
“Ju njoftoj se rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët do të shpallen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e enjte, më 4 mars”.
“Rezultatet përfundimtare, ndër tjerash, do të përfshijnë rezultatet për të gjitha subjektet politike dhe kandidatët pjesëmarrës në zgjedhje, dhe atë sipas vendvotimeve, qendrave të votimit, komunave dhe rezultatet e votave me kusht e atyre me postë”, deklaroi ai.
Elezi po ashtu tha se është e pamundur që ta thonë se kur do të ndodhë certifikimi, sepse sipas tij, kjo varet nga ankesat që mund të bëhen.