Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se Kosova nuk e ka arritur shkallën e imunizmit sa i përket infektimeve me COVID-19 dhe se për këtë janë duke u mbledhur të dhëna.
Ai ka thënë se rritja e ditëve të fundit është graduale por është rritur edhe numri i testeve.
“Shqetësuese është rritja graduale e numrave, por krahas kësaj kemi më shumë teste dhe përqindja e rasteve është gati e njëjtë në këto ditët e fundit. Në rezultate të IKSHP-së hyjnë edhe rezultatet e testeve rapide. Shkallën e imunizimit të turmës nuk e kemi arritur. Lidhur me përqindjen e popullatës që e kanë kaluar virusin janë duke u mbledhur të dhënat”, ka thënë Zemaj.
Tutje Zemaj tha se kanë siguruar edhe pajisjen për evidentim të rasteve me virusin e ri.
“Ka pasur raste të virusit të ri, teste të cilat janë dërguar në Gjermani, janë raste të konfirmuara dhe të shëruara, kemi edhe pajisjen për evidentimin e këtyre rasteve. Duhet të kemi kujdes të shtuar dhe për këtë na duhet edhe ndihma e mediave”, shtoi tutje Zemaj.
Armend Zemaj në “Kallxo Pernime” ka folur edhe për vonesat në sigurim të vaksinave, bisedimet që kanë pasur me kompani të ndryshme, strategjinë e vaksinimit dhe mënyrën si do barten vaksinat për COVID-19.