Edhe sot, për të ditën dytë me radhë në Kosovë janë regjistruar mbi 700 raste ditore me COVID-19.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, brenda 24 orëve të fundit janë testuar 4291 persona dhe prej tyre 704 kanë rezultuar pozitivë.
Përveç kësaj, gjatë këtyre 24 orëve janë regjistruar edhe 5 raste të vdekjeve të pacientëve me COVID-19.
Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 1 rast (73 vjeç), Mitrovicë 1 rast (67 vjeç), Pejë 1 rast (69 vjeç), Prizren 1 rast (56 vjeç) dhe Skenderaj 1 rast (71 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive që nga fillimi i pandemisë në Kosovë është 79,793 raste nga gjithsej 370,865 persona të testuar.
Nga ky numër i përgjithshëm, 1,736 persona kanë vdekur gjatë periudhës sa kanë qenë të infektuar me virusin Korona.
Në anën tjetër, përfshirë 342 pacientët e shëruar në 24 orët e fundit numri i përgjithshëm i të shëruarve ka shkuar në 66,321 raste kurse numri i atyre aktive është 11,736.
Sot, drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se gjendja me COVID-19 është duke u rënduar dhe se ka numër të madh të pacientëve që po kërkojnë hospitalizim.
Ai para mediave ka thënë 36 pacientë janë në gjendje kritike, nga 780 sa janë gjithsej duke u trajtuar nëpër spitalet rajonale dhe QKUK.
“Situata me COVID-19 është duke u rënduar nga dita në ditë. Ne po shohim përditë numër më të madh të pacientëve që po kërkojnë hospitalizim. Sot kemi 780 pacientë të shtrirë në 7 spitale të përgjithshme dhe në klinikat COVID të QKUK-së. 36 në gjendje kritike, mbi 500 pacient janë me oksigjen të vazhdueshëm”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi po ashtu ka thënë se Qeverisë do i dërgojnë një shkresë në mënyrë që të shikojnë mundësitë për zgjerim të kapaciteteve.
Ai po ashtu njoftoi se është marrë vendim që të kërkohet nga Qeveria e Kosovës që të zgjerohen kapacitetet e SHSKUK-së për hospitalizimin e pacientëve me coronavirus.
“Ne si SHSKUK i kemi bërë tash e një kohë të gjatë të ditura kapacitetet tona spitalore. Dje është vendosur që do të dergojmë një shkresë qeverisë në mënyrë që të shikojnë mundësitë për zgjerim të kapaciteteve”, ka theksuar ai.