Për nder të veprës heroike të luftëtarit Shefki Kuleta, banorët e fshatit Shpat e nderojnë me një përmendore

Kosova

Për nder të veprës heroike të luftëtarit Shefki Kuleta, banorët e fshatit Shpat e nderojnë me një përmendore

Më: 19 mars 2021 Në ora: 17:14
Shefki Kuleta

Në shenjë respekti për jetën dhe veprën e luftëtarit Shefki Ali Kuleta nga fshati Shpat i Podujevës, stafi udhëheqës i shkollës se bashku me banorët e këtij fshati kanë nderuar veprën patriotike të Shefkiut.

Duke nderuar veprën e tij, banorët kanë ngritur një përmendorë me iniciativë të tyre, ndërsa për nder të tij shkolla e këtij fshati mban emrin e dëshmorit dhe bashkëvendësit të tyre që dha jetën për lirinë e Kosovës.

Vepra patriotike e tij deri në flijim na bën që të ndihemi krenarë që shkolla jonë mban emrin e tij, kanë thënë kolektivi i shkollës.

Kjo shkollë do të përkushtohet gjithmonë që me punë dhe me suksese te nxënësve te lartësojmë veprën e Heroit  Shefki Ali Kuletës.

Biografia e luftëtarit Shefki Ali-Kuleta:

Në familjen Kuleta të fshatit Shpat (ish – Tërrnavë) të Besianës (ish – Podujevë), më 20 maj të vitit 1970 u lind dëshmori i kombit Shefki Kuleta.

Prindërit e Shefkiut, Aliu dhe Nazifja (Humolli) kishin edhe gjashtë djem dhe dy vajza: Abdurrahmanin, Shaipin, Hanifen, Shyqriun, Ilmiun, Hakiun, Ruzhdiun dhe Taiben, ndërsa Shefkiu ishte fëmija i tretë.

Shefkiu, shkollën fillore e kreu në vendlindje në shkollën “Jeta e re”, ndërsa të mesmen, gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë.

Studimet i kreu në Fakultetin Xehtaro- Metalurgjik, Dega e xehetarisë në Mitrovicë, të cilin e përfundoi në vitin 1998 në Prishtinë, pas tërheqjes së Fakultetit “Xehtero – Metalurgjik” nga Mitrovica në Prishtinë, ai ishte pjesëmarrës aktiv në demonstratat e viteve 1988-89.

Pas daljes në skenë të UÇK – së, Shefkiu pa hezituar lajmërohet në Zhilivodë të komunës së Vushtrrisë, ku vendos kontaktet e para me Fatmir Humollin dhe me kushëririn e vet, Agimin, i cili pati vepruar një kohë të gjatë në ilegalitet.

Më pas, në korrik të vitit 1998, shkon në bazën rekrutuese në Bajgorë, ku ka kryer edhe stërvitjet e nevojshme ushtarake së bashku me disa bashkëluftëtarë niset për në Shqipëri me qëllim të sjelljes së armatimit për pjesëtarët UÇK-së.

Pas Betejës së njohur të Kaqanollit, më 15, 16 e 17 shtator 1998, Shefkiu u bashkohet shokëve të luftës.

Pas themelimit dhe zgjerimit të strukturave ushtarake në ZOLL, formohet edhe njësiti “Kështjella -26”, që vepronte në anën e djathtë të magjistrales Prishtinë – esianë (në fshatin Shpat).

Gjatë kësaj kohe Shefkiu angazhohet për të kryer edhe shumë punë të tjera që kërkohej të mbaheshin vazhdimisht lidhje me qytetin e Prishtinës. Shefkiu mori pjesë në shumë beteja të zhvilluara në Zonën e Llapit, ndërsa herën e fundit ishte përgjegjës i njësitit “Kështjella – 26”.

Në ditën e pranverës, 21 mars 1999 pushtuesi serb ndërmerr një ofansivë të ashpër në trevën e mbuluar nga Zonën Operative e Llapit.

Shefkiu përsëri ishte në vijën e parë të frontit dhe iu kishte afruar shumë afër pozicioneve të armikut me mortajë dore dhe me automatik. Në këtë betejë ai bie heroikisht në fushën e nderit, në fshatin Penuhë të Podujevës .

Pas luftës, për kontributin e dhënë për lirinë e atdheut, familja e dëshmorit është nderuar me disa mirënjohje si nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Shtabi i Përgjithshëm i ZOLL-it, SHFD në Besianë, KK i Besianës etj”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat