Ministria e Infrastrukturës (MI) njofton qytetarët e Kosovës, se përkundër reshjeve të borës, rrugët janë të kalueshme për qarkullim të automjeteve.
Sipas raporteve nga menaxherët e MI-së, rrugët që janë në menaxhim të institucionit, në vazhdimësi janë duke u pastruar nga bora dhe është duke u hedhur kripa, me qëllim të parandalimit të ngricave, thuhet në një njoftim për media.
Ministria e Infrastrukturës bën thirrje për kujdes të shtuar nga të gjithë shoferët gjatë vozitjes, në përputhje me rregullat e komunikacionit dhe kushtet atmosferike, që të evitohen aksidentet e mundshme.
Përkundër angazhimit maksimal të 14 kompanive në 7 regjione dhe atyre që përkujdesen për autostradat, reshjet e vazhdueshme, shkaktojnë prezencë të borës në rrugë andaj luteni që të përshtatni shpejtësinë dhe të mbani distancën e duhur mes automjeteve gjatë lëvizjes, thuhet në njoftim.