Shqiptarët e Kosovës po del të jenë më optimist sesa serbët lidhur me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Derisa 92 përqind e qytetarëve të Kosovës e përkrahin anëtarësimin e vendit në BE, në Serbi as gjysma e qytetarëve nuk e përkrahin integrimin e vendit të tyre në BE.
Kështu u bë e ditur në një konferencë për media me rastin e publikimit të raportit “Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi i Kosovës dhe Serbisë në BE: Perceptimet e qytetarëve në dy vendet për sigurinë publike dhe kërcënimet kryesore të komunitetit dhe sigurisë” nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).
Në edicionin e 10-të të barometrit kosovar të sigurisë, ku edhe u prezantua ky raport, hulumtuesi Plator Avdiu tha se vetëm 6 përqind e qytetarëve në Kosovë mendojnë se vendi nuk do të mund të anëtarësohet në BE, kurse shtoi se mbi 90 përqind e tyre besojnë që kjo do të ndodh deri në vitin 2024.
Avdiu: 92 përqind e kosovarëve përkrahin integrimin e Kosovës në BE, në Serbi as gjysma e qytetarëve nuk janë për integrim
“Në Kosovë ekziston një përkrahje e fuqishme lidhur me integrimin në BE. 92 përqind e qytetarëve e përkrahin anëtarësimin e Kosovës në BE. Ndërsa në Serbi është e kundërta, as gjysma e qytetarëve nuk e përkrahin integrimin. Siç shihet, 43 përqind e tyre e përkrahin, ndërsa 43 përqind të tjerë kanë shprehur rezerva ose nuk e favorizojnë integrimin e Serbisë në BE... Edhe pse Kosova është përkrahësja më e madhe e BE-së në Ballkan, qytetarët kanë vërejtur se BE aplikon standarde të dyfishta sa i përket liberalizimit të vizave. 65 përqind e qytetarëve besojnë që disa shtete të caktuara anëtare të BE-së kanë paragjykime ose e diskriminojnë Kosovën për mosdhënien e vizave. Vetëm 11 përqind mendojnë që institucionet e Kosovës nuk i kanë përmbushur kriteret e BE-së”, tha Avdiu.
Sipas tij, në Kosovë është një shumicë e madhe e atyre që besojnë se BE është e interesuar të pranojë Kosovën, ndërsa shtoi se 45 përqind e qytetarëve në Serbi mendojnë që BE-ja nuk është e interesuar të pranojë Serbinë.
Lidhur me periudhën kohore kur qytetarët mendojnë se të dyja vendet mund të anëtarësohen në BE, Avdiu tha se 37 përqind e qytetarëve në Kosovë besojnë se Kosova do të jetë anëtare e BE-së, kurse në Serbi gati 60 përqind e qytetarëve kanë shprehur besimin se Serbia kurrë nuk do të anëtarësohet në BE.
Ndërsa sa i përket kushtit kryesor që të dyja vendet duhet të plotësojnë për t’u anëtarësuar në BE, ai tha se qytetarët e Kosovës në masë më të madhe mendojnë që sfida kryesore do të jetë luftimi i korrupsionit. E ata në Serbi besojnë që Kosova do të jetë pika më e nxehtë e Serbisë për anëtarësim në BE.
Ai bëri të ditur edhe nivelin e besimit që qytetarët e të dyja vendeve kanë karshi institucioneve të sigurisë të vendit tjetër në rast të ndonjë emergjence ose katastrofe natyrore.
Avdiu: Qytetarët serbë më të vetëdijshëm sesa elita politike në Serbi
“Gati 50 përqind e tyre mendojnë se nuk ndihen ende të sigurt që të marrin ndihmë nga institucionet e Serbisë, duke marrë parasysh rolin e vet këtyre institucioneve gjatë viteve të 90-ta, por edhe pas viteve të 90-ta, kur Serbia vazhdon të ushtrojë njëfarë paralelizimi, duke i manipuluar edhe komunitetin serb. Vetëm 35 përqind e qytetarëve do të pranonin ndihmë nga institucionet serbe të sigurisë. Nga ana tjetër, në Serbi, shumica prej tyre nuk do ta kishin problem të pranonin ndihmë nga institucionet e sigurisë në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, dhe kjo është ndoshta një aspekt pozitiv në kuptimin e bashkëpunimit të qytetarëve. Në këtë rast, qytetarët janë më të vetëdijshëm sesa elita politike në Serbi”, tha ai.
Avdiu theksoi se një pjesë e madhe e qytetarëve në Serbi dhe në Kosovë nuk dinë nëse ka ndonjë bashkëpunim policor mes të dyja vendeve, për çka shtoi se duhet të shërbejë si një lloj alarmi për informimin e tyre.
Ndërsahulumtuesi në QKSS, Shpat Balaj bëri të ditur se në kuadër të kësaj ankete, në pyetjen e mbyllur “Kërcënimet kryesore për komunitetin – Kosova”,
Balaj: Krimi i organizuar kërcënimi kryesor për komunitetin në Serbi
“Qytetarët në Serbi e kanë renditur krimin e organizuar si kërcënimin kryesor të komunitetit të tyre, me 43 përqind të respondentëve që e ndajnë këtë mendim”, tha ai.
Sipas këtij raporti, Shqipëria dhe Kroacia, janë dy vendet me të cilat Kosova ka raportet më të mira fqinjësore.