Alarmon Pupovci: Nxënësit me mësimin online kanë humbur 25% të vitit shkollor

Kosova

Alarmon Pupovci: Nxënësit me mësimin online kanë humbur 25% të vitit shkollor

Më: 28 mars 2021 Në ora: 09:33
Dukagjin Pupovci

Mbyllja e shkollave për shkak të pandemisë shpërfaqi sfidat në organizimin e mësimit online. Ekspertët e arsimit po vlerësojnë së mësimi në distancë ka ndikuar në mësimnxënien te niveli fillor si dhe në procesin e vlerësimit.

Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Arsim e Kosovës, Dukagjin Pupovci ka thënë se sipas vlerësimeve nxënësit që kanë marr pjesë në mësimin online duke filluar nga 11 marsi i vitit të kaluar e kanë humbur rreth 25% të vitit shkollor.

Ndërsa, siç thotë ai nxënësit që nuk kanë marrë pjesë në mësimin online kanë humbur diku rreth 40% të vitit shkollor.

“Po ne tash i kemi vlerësimet për vitin e kaluar, për pranverën e vitit të kaluar ku Banka Botërore ka vlerësuar se nxënësit që kanë marrë pjesë në mësimin online, duke filluar nga data 11 mars e deri në fund të qershorit kanë humb diku rreth 25% të vitit shkollor ndërsa nxënësit që nuk kanë marrë pjesë në mësimin online kanë humb diku rreth 40% të vitit shkollor”, ka thënë Pupovci.

Pupovci tutje është shprehur se mësimi online vazhdimisht do të ndikojë në rënien e cilësisë së arsimit.

“Pra mësimi online medoemos vjen me humbje mësimore, për këtë vit ende nuk ka vlerësime, dhe do të jetë e vështirë të bëhen, për faktin që nxënësit një pjesë të mirë të kohës e kanë kaluar në shkollë, por edhe kanë pasur ndërprerje të shumta, pra shumë shpesh ka ndodh që shkollat të mbyllen për shkak të pandemisë ose fëmijët e një klase të izolohen dhe besoj që e gjithë kjo do ndikojë në rënien e cilësisë dhe humbjet mësimore”, është shprehur Pupovci.

Edhe kryetar i SBASHKU-t Rrahman Jasharaj ka thënë se mësimi online nuk ka qenë i frytshëm, pasi që cikli i ulët kanë pasur vështirësi në përdorimin e platformave online.

“Mësimi online nuk ka qenë shumë i frytshëm sidomos ky problem paraqitet dhe është tepër i rëndë cikli i ulët te klasa e parë e dytë dhe e tretë madje edhe deri në klasën e pestë sepse ata fëmijë vështirë mund të gjenden me platformat dhe unë uroj që numri i të prekurve me Covid-19 në nivel vendi edhe pse është duke shënuar rritje dhe mos të na ndodhë edhe në shkolla”, ka thënë Jasharaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat