Saktësisht 1560 vdekje më shumë janë regjistruar në dy muajt e parë të vitit 2021 në Kosovë, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më herët. Përderisa në dy muajt e parë të 2020-s në Kosovë humbën jetën 1663 persona, sivjet shifra e vdekjes në këta dy muaj ishte 3223.
Rritja e rasteve të vdekjes në vend i atribuohet numrit të lartë të vdekjeve me COVID-19. Në dy muajt e vitit të shkuar në Kosovë s’kishte pandemi. Në janar më 2020 ishin regjistruar 918 vdekje, ndërsa sivjet u regjistruan 1714. Dyfish rritje të rasteve të vdekjeve u regjistruan edhe në muajin shkurt 2021, krahasuar me shkurtin e një viti më herët. Më 2020 në atë muaj ishin 745 vdekje, ndërsa sivjet 1509.
Nga COVID-19, në dy muajt e parë të vitit 2021 humbën jetën 704 persona, bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë. E shifrat e vdekjes kanë vazhduar të jenë alarmante edhe në muajin mars e në prill. Vetëm sot, e enjte, u regjistruan 17 vdekje.
Nga 3223 vdekjet e regjistruara, 1807 ishin meshkuj e 1416 femra.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, dy muajt e sivjetmë ishin më të rëndët për Kosovën në një periudhë prej vitit 2015. Asnjëherë nuk kishte pasur kaq shumë vdekje në këtë periudhë kohore të vitit.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/April/15/auto_auto_vdekjet_nder_vite16184983811618499142.png)