“Ujëvara e Drinit të Bardhë” është një nga ujëvarat më spektakolare e cila vizitohet nga turistët gjatë gjithë vitit.
Burimi i Drinit të Bardhë është një nga burimet më të rëndësishme të Kosovës dhe një nga burimet, që furnizon qytetin e Pejës me ujë të pijes.
Ndryshe, ‘Drini i Bardhë’ është lum që përshkon pjesën perëndimore të Kosovës, respektivisht Rrafshin e Dukagjinit.
Drini buron rrëzë malit të Rusolisë nga gurra e shpellës së Radavcit, në 586 metra lartësi mbidetare, ku krijon edhe një ujëvarë të bukur, para se të zbres në rrafsh dhe bashkohet afër qytetit të Kukësit me Drinin e Zi për të formuar Drinin që në antikë njihet më emrin Drillon.
Sasia e burimit arrin 30 m3 në sekondë, ku krijon edhe një ujëvarë të lartë prej 30 metra. Sipërfaqja e ujëmbledhësit të Drinit të Bardhë në Kosovë është 4 mijë e 265 km2.
Ka regjim mesdhetar, me maksimum në muajt Mars dhe Nëntor, e minimum në muajt Maj dhe Shtator.
Në territorin e Kosovës, Drini gjarpëron për 122 kilometrash në drejtimin veri-jug. Ai mbledhë me vete edhe ujërat e Lumbardhit të Pejës, Erenikut, e Lumbardhit të Prizrenit. Baseni i Drinit është më i madhi nga katër basenet ujëmbledhëse të Kosovës.