Katër vdekje u shënuan në Drenas në 12 ditët e fundit në rrethana të ndryshme, të gjitha në moshë të re.
Ishte data 4 prill e këtij viti kur një vetaksident i mori jetën të resë nga Drenasi, Ermira Morina (26).
E ndjera ishte e apasionuar pas të bukurës, pas pikturës e siç thonin shoqëria ajo ishte gjithnjë pozitive.
Dy ditë pas këtij rasti një tjetër ngjarje tragjike shokoi qytetin drenicas, derisa një konflikt për pronën eskaloi deri në përdorimin e armës nga fqiu dhe gjeti trupin e njomë të 15 vjeçarit, Arbnor Muja nga Gradica. Viktima vdiq në vend, e babi mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhej në koma.
Mbrëmjen e pardjeshme, plagët e asaj nate në malin e Gradicës ia morën jetën edhe babait të Arbnorit, Bekimit (43).
Ky i fundit ishte shpirt aktivisti, njeri që punonte për të mirën e qytetit, dhe nuk duronte dot padrejtësitë.
E sikur të mos mjaftonte me kaq, mbrëmë në Fushë-Kosovë u gjet i vdekur pranë Stacionit të Trenit, Albesian Tahiraj nga Komorani, vdekja e të cilit u cilësua si vdekje e dyshimtë nga Policia, organ ky që nuk e përjashtojë mundësinë se 28-vjeçari është vetëvrarë.
Albesiani ishte sipërmarrës i suksesshëm, drejtonte një “Mobishop” në Prishtinë dhe ishte pronar i një restauranti në Komoran.
Ai ishte i martuar dhe la pas vete një pasardhës.
12 ditët e këtij prilli të thyer janë ditët më të rënda që nga paslufta në qytetin e vogël të Drenasit.