Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë bërë inspektime të lokaleve mbrëmë në Gjilan ku janë shqiptuar 11 gjoba juridike ndaj lokaleve për mosrespektim të masave antiCOVID.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, i cili ka njoftuar se në kuadër të aksionit një lokal është mbyllur si dhe janë gjobitur tetë persona për shkak të mos bartjes së maskës në vendin e punës.
“Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë mbrëmë në Gjilan kanë bërë kontrollime të shtuara në lokalet gastronomike për mbikëqyrje të respektimit të masave antiCOVID. Në kuadër të aksionit që kishim natën e mbrëmshme në Gjilan, janë shqiptuar 11 gjoba juridike për lokale, një është mbyllur si rast recidivist. Po ashtu, janë gjobitur edhe 8 persona për mos mbajtje të maskës në vendin e punës”, tha Thaçi.
Ai bëri thirrje nga qytetarët që të kenë kujdes dhe të respektojnë masat antiCOVID sidomos në muajin e Ramazanit që të mos organizohen iftare me grumbullime të njerëzve.
“Apelojmë te të gjithë qytetarët që të kenë kujdes dhe të respektojnë masat antiCOVID, sidomos tani kur jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit, mos të organizohen iftare me grumbullim të njerëzve, veprime të cilat janë të ndaluara me vendime të qeverisë dhe rrezikojnë shëndetin e qytetarëve. Secili njeri duhet të respektoj masat shtetërore për parandalim të përhapjes se sëmundjes. Ruani jetën tuaj dhe të të afërmeve tuaj”, tha ai.