Në Kosovë po vazhdon rënia e numrit të rasteve aktive me koronavirus dhe gjithashtu edhe numri i pacientëve të hospitalizuar.
Tash e më shumë se një javë po vazhdon trendi pozitiv i raportit ditor të rasteve me koronavirus ku numri i pacientëve të shëruar është më i lartë sesa numri i rasteve të reja.
Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar 202 raste të reja me koronavirus nga mbi 2800 persona të testuar, ndërsa janë shëruar 646 persona.
Megjithatë, shqetësues në Kosovë mbetet numri i lartë i vdekjeve ditore.
Brenda 24 orëve janë raportuar 11 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Ferizaj 2 raste (87, 77 vjeç), Podujevë 2 raste (84, 37 vjeç), Prishtinë 2 raste (76, 64 vjeç), Drenas 1 rast (90 vjeç), Gjakovë 1 rast (79 vjeç), Mitrovicë 1 rast (78 vjeç), Skenderaj 1 rast (79 vjeç), Viti 1 rast (65 vjeç).
Ndërkohë, sipas raportit më të fundit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, 571 persona po trajtohen në klinikat e QKUK-së dhe në spitalet rajonale.
Sipas SHSKUK-së, 35 pacientë janë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe 439 janë nën asistim të oksigjeno-terapisë.
Aktualisht në Kosovë janë edhe 8,841 raste aktive me koronavirus.