Këtë të diel, me rastin e 22 vjetorit të rënies së 31 qytetarëve, në shenjë përkujtimi, në vendin e ngjarjes i njohur si te ”ura e Lluzhanit” është përuruar pllaka përkujtimore me emrat e viktimave.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bëri të ditur se ky monument u ndërtua nga Komuna e Podujevës, por me iniciativë të përbashkët me familjet e viktimave.
“Për ndër të këtij përvjetori, ne si institucione lokale, në bashkëpunim me familjet e viktimave, kemi iniciuar ndërtimin e kësaj pllake përkujtimore me emrat e viktimave që kanë pësuar, në mënyrë që në secilin përvjetor ta kemi një vend ku i nderojmë. Nga sot merr fund praktika që ishte deri më tani, ku homazhet e nderimet bëheshin mbi urë, duke rrezikuar edhe shëndetin dhe jetën e familjarëve”, është shprehur Bulliqi.
Ndërtimi i këtij monumenti është mbështetur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Podujevës.
