Nxënësit kërkojnë edukatë seksuale në shkolla

Kosova

Nxënësit kërkojnë edukatë seksuale në shkolla

Më: 20 maj 2021 Në ora: 06:22
Foto ilustrim

Nxënësit e shkollave të Prishtinës dje patën një marsh protestues në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Ky marsh është mbajtur pas rastit të sulmit seksual ndaj një vajze të mitur në Prishtinë, që raportohet se ka ndodhur muajin e kaluar.

“Nxënësit janë irrituar dhe kanë kërkuar që ne të ndërmarrim dicka. Hapi që ne e kemi ndërmarrë pasi kërkesave të tyre si përfaqësues të Këshillit të nxënësve të katër gjimnazeve kryesore në Prishtinë, “Sami Frashëri”, “Xhevdet Doda”, “Ahmet Gashi” dhe “Eqrem Çabej” ka qenë që me organizu një protestë”.

“Sot ne kemi dalë më dy kërkesa kryesore që i kemi paraqitur përmes mediave ku e para ka qenë më pas psikologë në shkolla dhe shkollat që kanë psikolog me i funksionalizu dhe kërkesa e dytë ka qenë me pas lëndën e edukimit seksual në kurrikulë në shkollat e mesme dhe ato fillore. Pasi konsiderojmë që kjo lëndë është e rëndësishme edhe sa i përket ngacmimeve seksuale që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin dhe kjo lëndë kishte me qenë parandaluese në këtë aspekt”, tha Ene Aliu, gjimnazist në “Sami Frashëri”.

Aliu mes tjerash bëri të ditur se nuk kanë planifikuar protesta të tjera, veçse nuk do të ndalen deri në zbatimin e kërkesave të tyre.

“Nuk kemi planifikuar ndonjë protestë të re në të ardhmen. Por, definitivisht do të vazhdojmë me i qu deri në fund kërkesat tona duke pasur takim me Ministren e Arsimit ndoshta ose takim me Drejtoreshën Komunale të Arsimit”.

Ismet Krasniqi nga gjimnazi “Ahmeti Gashi” tregoi se dukuria e ngacmimit seksual mes nxënësve fatkeqësisht është e shprehur.

“Fatkeqësisht kjo dukuri është e shprehur tek nxënësit sidomos tek ata të shkollave fillore por ashtu edhe tek te mesmet. Protesta nuk ka pasur për qëllim që të konkretizojë rastin vetëm në shkollën “Faik Konica” pasi këto raste mbase ndodhin çdo ditë tek shkollat e tjera veçse nuk bëhen publike”.

“Nga këtu do iu kisha bërë thirrje të gjithë moshatarëve të mijë që t’i ndalin komentet negative për djaloshin në atë video dhe të fillojmë të vetëdijesohemi për shkak që kjo dukuri negative nuk mund të zhduket ndryshe”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat