​Garda Kombëtare e Iowa-s nderohet me Medalje Presidenciale Ushtarake

Kosova

​Garda Kombëtare e Iowa-s nderohet me Medalje Presidenciale Ushtarake

Më: 20 maj 2021 Në ora: 20:19
Pamje nga vendi i ngjarjes

Presidentja Vjosa Osmani ka dekoruar sot me Medaljen Presidenciale Ushtarake Gardën Kombëtare të Iowa-s, në shenjë falënderimi për zhvillimin dhe avancimin e ushtrisë së Kosovës dhe kontributin e ushtarëve amerikanë në Kosovë.

Në emër të Gardës, medalja i është dhuruar komandantit të Gardës Kombëtare të IOWA-s, gjeneralmajor Benjamin Corell.

Osmani ka falënderuar Gardën Kombëtare të IOWA-s për mbështetjen e vazhdueshme ndaj FSK-së, duke e konsideruar këtë proces vazhdimësi të marrëdhënieve të shkëlqyeshme me aleatin e përhershëm të Kosovës, SHBA.

Osmani: Po nderojmë Gardën Kombëtare të Iowa-s për kontributin në avancimin e ushtrisë sonë

“Në emër të institucioneve të Republikës të Kosovës si presidente e Republikës së Kosovës dhe në veçanti, në emër të qytetarëve të Republikës tonë kam vendosur që sipas propozimit të Ministrisë së Mbrojtjes, t’i ndajë Medaljen Presidenciale Ushtarake Gardës Kombëtare të Iowa-s për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe avancimin e ushtrisë sonë, forcës sonë të sigurisë”, tha ajo.

Ndërsa gjeneralmajor Benjamin Corell u shpreh i nderuar me çmimin që i ka ndarë Kosova ushtrisë amerikane.

Corell: Partneriteti që kemi me FSK-në është i pashoq

“Jam i nderuar që qëndroj këtu sot në emër të Ushtrisë Amerikane, qytetarëve të Shteteve të Bashkuara, qytetarëve të Iowa-s, pothuajse nëntë mijë burra dhe grave të Gardës Kombëtare të Iowa-s, dhe ta marr këtë mirënjohje nga ju, është privilegj të jem këtu sot. Ju jeni një mik prej kohësh dhe aleat i Shteteve të Bashkuara. Partneriteti që kemi me FSK-në është i pashoq. Shumë njerëz nga vendet e tjera thonë, si mund të kemi një marrëdhënie siç kanë Iowa dhe Kosova. Unë them, duhet punë, duhet përkushtim. Unë jam i përkushtuar, Garda Kombëtare e Iowa-s është e përkushtuar, dhe ju falënderoj për këtë nderim që na keni bërë”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat