Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, ka lëshuar fletërreshtim vendor ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve, Flamur Ibrahimi.
Kjo pasi i akuzuari nuk u paraqit në seancën e paraparë për të martën, edhe pse ndaj tij gjykata kishte lëshuar urdhëresë më parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Nexhat Aliu tha se nga informacioni që kanë marrë nga policia, konstatohet se i akuzuari nuk gjendej në shtëpi.
“Në këto rrethana ndaj të akuzuarit Ibrahimi do të lëshohet fletërreshtim vendor, në mënyrë që të sigurohet prezenca e tij në seancë”, tha gjykatësi Aliu.
I njëjti gjithashtu bëri të ditur se seanca e radhës do të caktohet sapo të plotësohen kushtet ligjore, përkatësisht sapo të sigurohet prezenca e të akuzuarit në seancë.
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 29 shtator 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Flamur Ibrahimit, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 4 dhe 6 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, më 24 prill 2020, në shtëpinë e tij në fshatin Tërstenik të Komunës së Vitisë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, nga rrjeti i të dëmtuarës KEDS- Distribuimi në Gjilan, ka vjedhë shërbimet për të cilat dihet se mundësohen vetëm në shkëmbim të kompensimit dhe duke e shmang pagesën për shërbime të tilla. Aty thuhet se pasi që i është ndalë njehsori elektrik nga zyrtarët e KEDS-it për shkak të borxhit paraprak, i pandehuri është lidhur në mënyrë direkte në rrjetin elektrik jashtë njehsorit elektrik, duke bërë të pamundur të regjistrohet energjia elektrike e shpenzuar.
Me këtë, Ibrahimi akuzohet se të dëmtuarës KEDS-Distribuimi në Gjilan i ka shkaktuar dëm në vlerën prej 509.80 euro.