Kryetari i Skenderajt Bekim Jashari ka vizituar lagjen “Rrecaj” në Llaushë, ku sot kanë nisur punimet në kyçjet individuale nëpër ekonomitë familjare, pas instalimit të gypit kryesor të ujësjellësit vitin e kaluar.
Jashari ka bërë të ditur se ditët në vazhdim do të bëhet edhe kyçja e lagjeve të tjera të Llaushës në ujësjellës, deri në finalizimin e këtij projekti të financuar nga komuna.
Ai tutje theksoi që se shpejti në rrjetin e ujësjellësit do të vendosen edhe fshatrat Burojë e Aqarevë, si dhe disa fshatra të tjera.
“Punën nuk do ta ndalim me kaq, pasi do ta bëjmë se shpejti instalimin e ujësjellësit edhe në Burojë e Aqarevë, për të vazhduar më pas brenda këtij viti edhe në fshatrat e bashkësisë lokale të Likocit e Rezallës”, tha Jashari.
Në fshatin Llaushë, përveç ujësjellësit, komuna e Skenderajt ka bërë investime edhe në ndërtimin e rrugëve, kanalizimit, shtrirjen e shërbimeve për mbeturina si dhe shumë shërbime të tjera në dobi të qytetarëve.