Brigada e Zjarrfikësve të Komunës së Podujevës është duke u përballur me mungesë të punëtorësh dhe mjeteve të punës.
Kështu ka thënë sot në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Fevzi Jetullahu.
Për gjendjen në këtë sektor dhe problemet me të cilat përballet si ne aspektin e numrit të vogël të punëtorëve, ashtu edhe në mjetet e punës, me propozim të drejtorit Jetullahu dhe dakordimin e të gjithë anëtarëve të KKSB-së në Podujevë u vendos që t’i drejtohet një apel Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave për t’i trajtuar problemet me të cilat përballet Brigada e Zjarrfikësve në Podujevë.
Në anën tjetër, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga nënkryetarja e Komunës, Marigonë Lahu, ka shqyrtuar raportin e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe FSK-së për gjendjen e sigurisë në Podujevë; gjendjen me pandeminë Covid-19, zbatimin e Planit operativ për parandalimin e ekstremizmit dhe për masat parandaluese dhe sensibilizimin e qytetarëve për pasojat nga zjarret dhe djegia e pyjeve.
Lidhur me gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës, raportoi komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Isak Ejupi, i cili tha se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë dhe stabile.
Ndërsa, si shqetësuese përmendi faktin se kemi rritje të numrit të veprave penale, veçmas rasteve të dhunës në familje.
Gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës e vlerësuan të qetë dhe stabile edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së.
Për situatën e pyjeve dhe rrezikun nga zjarrëvënia dhe sensibilizimin e qytetarëve sa i përket kësaj dukurie foli drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vigan Salihu i cili tha se gjatë vitit 2020 janë evidentuar 44 raste zjarri, ndërsa në vitin 2021 deri më tani kemi vetëm 9 raste.