Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Tomsh Szunyog, gjatë një takimi sot me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka konfirmuar mbështetjen e Bashkimit Evropian në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë, me qëllim të zhvillimit dhe ngritjes së cilësisë në këtë sektor.
Ambasadori Szunyog tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm të investojë në ndërtimin e objektit të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, sapo të rregullohet çështja e hapësirës për ndërtimin e objektit.
Ministrja Nagavci tha se objekti aktual nuk i plotëson kushtet për natyrën e studimeve në drejtimet e këtij fakulteti, ndërsa shprehu gatishmërinë për të shtyrë përpara këtë projekt.
Në takim u bisedua edhe për nevojën e krijimit të kushteve për përfshirje në edukimin e hershëm, rishikimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, reformën në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, tekstet shkollore, pjesëmarrjen e Kosovës në testin PISA, si dhe tema të tjera me rëndësi.