Gjykata e Apelit ka vendosur që të heqë masën e pezullimit për lejet dhe licencat për hidrocentrale të KELKOS-it në Lumbardhin e Deçanit, ka njoftuar vetë kompania nëpërmjet një komunikate për media.
Gjykata Themelore në Prishtinë pati rivendosur që të pezullojë lejet dhe licencat të tri hidrocentraleve të KELKOS-it në Lumbardhin e Deçanit në muajin shkurt. Ndërsa tash, në një njoftim, sipas KELKOS-it, Apeli ka vendosur të refuzojë kërkesën për pezullim të përkohshëm.
Sipas njoftimit, Apeli ka vendosur që të mos e dërgojë rastin përsëri në Themelore, por ka vendosur vetë lidhur me kërkesën.
“KelKos Energy ka kënaqësinë të vazhdojë prodhimin 24/7 të Energjisë së Gjelbër për qytetarët e Kosovës, që ofron rrymë për më shumë se 50.000 amvisëri në baza ditore – 100% të liruar nga emetimet e dëmshme”, thuhet në njoftim.