Shënohet numri më i ulët i pickimeve nga rriqra në vitet e fundit në Klinë

Kosova

Shënohet numri më i ulët i pickimeve nga rriqra në vitet e fundit në Klinë

Më: 3 qershor 2021 Në ora: 19:11
Klinë

Prej që ka filluar sezoni i pickimeve para katër muajve, në tërë territorin e komunës së Klinës, si zonë endemike, janë regjistruar 38 raste të pickimeve nga rriqrat. Infektologu Haxhi Ibishi, i cili është edhe drejtor i Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë “Nëna Terezë”, tregoi të enjten se deri tash nuk është shfaqur asnjë rast i infektimit, që do të mund shkaktonte sëmundje të etheve hemorragjike.

“Deri tash kemi regjistruar 38 raste të pickimit nga rriqrat. Dhe ky numër i pickimeve krahasuar me vitet e kaluara është shumë i vogël. Fatmirësisht nuk e kemi të regjistruar asnjë të infektuar dhe nuk e kemi asnjë të shtrirë në spital nga pickimi”, thotë Ibishi.

I tërë territori i komunës së Klinës është i shpallur zonë endemike, pa lënë jashtë kësaj zone as edhe një vendbanim të kësaj komune. Zakonisht viteve të kaluara numri i të pickuarve nga rriqrat ka qenë mbi 300 raste.

“Realisht janë shumë arsye pse numri është kaq i vogël. Është vetëdijesuar popullata nga fushatat e zhvilluara vetëdijesuese. Pastaj kositet bari vazhdimisht dhe popullata nuk e lë të rritet. Shumica e popullatës po mban edhe pula nëpër oborre, të cilat nuk i lënë rriqrat të zhvillohen. Dhe çka është kryesorja njerëzit e pickuar nuk bëjnë asnjë manipulim, por kur ndodh pickimi menjëherë vijnë te mjeku”, tregon Ibishi arsyet pse ka rënë numri i pickimeve nga rriqrat dhe nuk ka të sëmurë.

Por, pavarësisht se numri i pickimeve është më i ulëti që është shënuar viteve të fundit, institucionet shëndetësore të Klinës apelojnë qytetarët që t’u përmbahen rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat