13 familje në nevojë bëhen me shtëpi të reja

Kosova

13 familje në nevojë bëhen me shtëpi të reja

Më: 7 qershor 2021 Në ora: 16:21
Foto nga ceremonia solemne

Në një ceremoni solemne, çelësat për familjet përfituese i kanë dorëzuar, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, së bashku me Kryetarin e Shoqatës “Jetimat e Ballkanit” Halil Kastrati.

Kryetari Bulliqi tha se gjithmonë është ndjesi e veçantë kur dhurohen shtëpi të reja për familjet në nevojë dhe u zotua se do të vazhdohet me projekte të tilla.

“Përherë është ndjenjë e veçantë edhe emocionuese kur dorëzohen çelësa për shtëpi të reja për familjet me gjendje të rëndë sociale dhe ekonomike. Ne së bashku me “Jetimat e Ballkanit” kemi vazhduar memorandumin e bashkëpunimit dhe projekti i ndërtimit të shtëpive do të vazhdojë edhe këtë vit”, tha kryetari Bulliqi.

Edhe humanisti Halil Kastrati u shpreh i lumtur që projekti i përbashkët me Komunën e Podujevës për ndërtimin e shtëpive për familjet në nevojë po shkon drejt finalizimit dhe u zotua se bashkëpunimi me Komunën e Podujevës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në ceremoninë ku ishte i pranishëm edhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Driton Veliu, u tha se në Podujevë shumë shpejt do të filloi ndërtimi edhe i 10 shtëpive të reja, produkt i memorandumit të nënshkruar javë më parë.

Ndërsa, ndërtimi i shtëpive për të cilat sot u dorëzuan çelësat e përurimit është mundësuar nga marrëveshja e nënshkruar më vitin e kaluar mes Komunës së Podujevës dhe Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat