​“Nazmi Gafurri” bëhet me klasë të veçantë për parafillorët

Kosova

​“Nazmi Gafurri” bëhet me klasë të veçantë për parafillorët

Më: 9 qershor 2021 Në ora: 13:22
Arbërie Nagavci

Shkolla fillore “Nazim Gafurri” në Prishtinë, nga sot është bërë me klasë të veçantë për parafillorët, e cila është pajisur me inventar dhe infrastrukturë të nevojshme për më të vegjlit, derisa do të ketë edhe një numër të konsiderueshëm të figurave prej druri për lojë dhe mësim.

Kjo shkollë është në mesin e 106 shkollave në nivel vendi që do të pajisen me klasa për parafillorët, e që rregullimi i tyre po bëhet në kuadër të projektit SHPRESA të Caritas-it zviceran.

Në inaugurimin e kësaj klase shkollore ka marrë pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se këto klasa të dedikuara për edukimin e hershëm janë të pajisura me inventar të përshtatshëm për moshën e fëmijëve.

Ajo u shpreh se synojnë që brenda këtij mandati katër vjeçar të dyfishojnë përfshirjen e fëmijëve në edukimin e hershëm.

Nagavci: Brenda mandatit tonë së paku të dyfishohet përfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm

“Bashkëpunimi me Caritas-in ka mundësuar që të trajnohen më shumë se 700 edukatorë gjithandej nëpër shkollat e Kosovës. Me anë të bashkëpunimit me Institutin Pedagogjik të Kosovës, me drejtoritë komunale, por edhe me Fakultetin e Edukimit po punohet afër, në mënyrë që t'u ofrohen shkathtësitë dhe kompetencat e nevojshme edukatorëve që të zhvillojnë edukimin e hershëm sipas standardeve më të mira ndërkombëtare për fëmijët edhe krijimin e ambienteve, hapësirave të përshtatshme për fëmijët. Ju e dini se për qeverinë tonë një nga prioritetet është rritja e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm, ndërtimi i çerdheve të reja dhe krijimi i ambienteve të përshtatshme për të mundësuar edukimin e hershëm të fëmijëve në kushte sa më cilësorë...E shprehim përkushtimin si ministri që brenda mandatit tonë së paku të dyfishohet përfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm", tha Nagavci.

Drejtori i Caritas-it zviceran në Kosovë, Gerhard Schaumberger, tha se janë duke punuar në fushatën e re me moton “Vnoma veshin”, e cila synon vendosjen e edukimit parafillor në qendër të vëmendjes.

Schaumberger: Edukimin parafillor ta vendosim në qendër të vëmendjes

“Jemi shumë të lumtur me bashkëpunimin, me ministrinë, me shkollat, me mësimdhënësit, me nxënësit. E vlerësojmë faktin që qeveria e re i ka dhënë prioritet edukimit parafillor në agjendën e saj. Jemi duke hyrë në fushatën e udhëhequr nga Zvicra, me moton ‘Vnoma veshin’, në mënyrë që edukimin parafillor ta vendosim në qendër të vëmendjes, ngase ka ndikim të gjatë në jetën e njerëzve, e po ashtu edhe në sistemin arsimor këtu në Kosovë”, tha ai.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, ka bërë të ditur numrin e shkollave në nivelin komunal, e të cilat do të bëhen me klasa për parafillorët.

Shala: Komuna e Prishtinës ka qenë përfituese me 15 shkolla që do të bëhen klasat për parafillor

"Komuna e Prishtinës ka qenë përfituese me 15 shkolla që do të bëhen klasat për parafillor dhe gjithashtu janë trajnuar dhe do të trajnohen në tërësi 100 mësimdhënës të ciklit parafillor, mësimdhënës edukator të cilët përmes lodrave, lojërave të ndryshme edhe do të arrijnë rezultate të cilat janë të përcaktuara me kurrikulën e Kosovës”, tha ajo. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat