Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka deklaruar se gjendja e bujqve në komunën që ai drejton është e vështirë, ndërsa përkrahja nga Ministria e Bujqësisë, përveç që është e vogël, ajo edhe po vonohet.
Latifi ka kërkuar nga kjo Ministri që ta shpërndajë edhe pjesën e dytë të subvencioneve, të cilën ende nuk i kanë marrë bujqit që nga viti i kaluar.
Latifi për KosovaPress thekson se bujqit ende nuk e kanë marrë as vlerën e dëmeve që kanë shkaktuar reshjet intensive të shiut dhe breshëritë në këtë vit.
Latifi: Bujqit nuk morën pjesën e dytë të subvencioneve
"Kemi diskutuar me seriozitetin më të madh kërkesat, nevojat emergjente që ka bujqësia në Kosovë, në rastin konkret në Komunën e Rahovecit. Ne akoma nuk i kemi marrë subvencionet e vitit të kaluar, pjesën e dytë të subvencioneve që ishte zotim i qeverisë së kaluar dhe premtim i kësaj qeverie që deri në fund të prillit do të merren...Ne ende nuk kemi një datë konkrete se kur do të hapet thirrja e re për subvencione tash të këtij viti që fermerët, bujqit e Republikës së Kosovës dhe Komunës së Rahovecit, presim. Ne nuk kemi marrë akoma vlerën e dëmeve që kanë shkaktuar reshjet intensivë të shiut dhe breshëritë në këtë vit, e kemi dërguar raportin me kohë... bëhet fjalë diku për 330 mijë euro edhe kemi kërkuar që të zbatohet vendimi qeverisë që diku 25% e këtij dëmi të paguhet”, tha ai
Sipas Latifit, ende nuk ka nis implementimi i projekteve për grantet e fituara nga Ministria e Bujqësisë, pasi që Qeveria e Kosovës dhe ministria janë në fazë të vlerësimeve dhe analizave.
Latifi: Bujqësia dhe bujqit e Kosovës nuk mund të presin Ministrinë Bujqësisë
“Ne nuk e kemi ende përfituesit e grandeve nga Ministria e Bujqësisë që është shpallur këtë vit e që ka qëndruar sipas afateve ligjore, janë shpallë edhe njoftimet, dihen edhe përfituesit por akoma nuk ka filluar implementimi i projekteve nga Ministria e Bujqësisë për përfituesit e grandeve...Ne nuk kemi datë konkrete, ne nuk kemi një qartësi me gjasë Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Bujqësisë është në një fazë të vlerësimeve, të analizave, mirëpo bujqësia në Kosovë nuk pret edhe bujqit e Kosovës", tha ai
Smajl Latifi do të jetë rikandidojë për kryetar të Rahovecit nga radha e AAK-së. Ai thekson se qytetarët e Rahovecit do të kenë mundësinë e një oferte tjetër nga ai.
Latifi: Do të jem kandidat për kryetar të Komunës së Rahovecit
"Unë jam kandidat për kryetar të komunës së Rahovecit disa procedura teknike që i kryen partia me siguri janë në proces po edhe njëherë po punoj që të kem edhe një mandat të ri 4 vjeçar. Po besoj që punët që i kemi bërë deri më tani dhe punët që i kemi në prag për t’i kryer apo për t’i nisur punët tjera, por edhe vizioni për 4 vjeçarin e ardhshëm, është i qartë dhe besoj që qytetarët e Rahovecit do të kenë rastin të kenë edhe një ofertë të pastër me veprime e masa konkrete, me plan të qartë qeverisës për 4 vjeçarin e ardhshëm", tha ai.