SHMLE “Isa Boletini” Podujevë ka nënshkruar sot, memorandum bashkëpunimi me kompanitë “Santefarm” dhe Santefrut”, përmes të cilit mundësohet praktikë profesionale dhe mundësi punësimi për nxënësit e kësaj shkolle.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, e cila u organizua në SHMLE “Isa Boletini” mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtori i Arsimit, Avni Fetahu.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi falënderoi kompanitë “Santefarm” dhe Santefrut”, për gatishmërinë e shprehur për të ndihmuar nxënësit llapjanë.
“Falënderoj kompaninë, e cila ka shprehur gatishmërinë që t’iu ofroj mundësinë për ngritje profesionale nxënësve llapjanë, po ashtu ata bazuar në përformancen dhe disiplinën e treguar gjatë angazhimit në praktikë, do ta kenë mundësinë që të sigurojnë edhe vend të qëndrueshëm të punës” tha Kryetari Bulliqi.
Bazuar në marrëveshjen e nënshkruar, kompania obligohet të ofrojë mbështetje të nevojshme për nxënësit gjatë praktikës profesionale, jo vetëm në kushtet dhe hapësirat e punës, por edhe në aspektet e përgjithshme të punës në favor të zhvillimit të tyre profesional.
Personeli i shkollës, do të kujdesen për sigurimin e cilësisë dhe mbarëvajtjes së praktikës profesionale të nxënësve, gjithmonë duke bashkëpunuar ngushtë me personelin e kompanisë.
Ndërsa, për nxënësit të cilët tregojnë performancë të lartë në angazhimin e tyre, kompania ofron marrëdhënie të rregullt pune.