Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) është e interesuar që viti i ri shkollor 2021/22 të fillojë me praninë fizike dhe orar të rregullt, ndërkohë që po realizohet edhe vaksinimi i mësimdhënësve.
Kështu ka shkruar në një postim në Facebook ministrja Arbërie Nagavci, e cila pret që viti shkollor të fillojë me kohë dhe pa probleme, janë përkujdesur që në mesin e personave të vaksinuar kundër COVID-19 të jenë edhe mësimdhënësit.
“E kemi diskutuar me kohë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe tashmë po realizohet edhe vaksinimi i mësimdhënësve. Të mërkurën jemi njoftuar zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë se në mesin e personave që do të vaksinohen në vijim, përveç personave mbi moshën 65-vjeçare, të sëmurëve kronik e punëtorëve shëndetësorë, do të jenë edhe mësimdhënësit. Çdo individ apo institucion duhet të aplikojë për caktim të terminit në eKosova, sipas njoftimeve të MSH-së për kategoritë që do të vaksinohen sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19”, ka thënë Nagavci.
Postimi i plotë:
Pandemia ka shkaktuar çrregullime të shumta edhe në arsim andaj jemi shumë të interesuar që vitin e ri shkollor 2021-2022, ta fillojmë me prezencë fizike dhe me orar të rregullt.
Në mënyrë që viti shkollor të fillojë me kohë dhe pa probleme, jemi përkujdesur që në mesin e personave të vaksinuar kundër COVID-19 të jenë edhe mësimdhënësit. E kemi diskutuar me kohë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe tashmë po realizohet edhe vaksinimi i mësimdhënësve.
Të mërkurën jemi njoftuar zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë se në mesin e personave që do të vaksinohen në vijim, përveç personave mbi moshën 65 vjeçare, të sëmurëve kronik e punëtorëve shëndetësorë , do të jenë edhe mësimdhënësit.
Këtë informatë e kemi përcjellë sot edhe te drejtoritë komunale të arsimit, të cilat do t’i informojnë shkollat me detajet e këtij procesi. Çdo individ apo institucion duhet të aplikojë për caktim të terminit në eKosova, sipas njoftimeve të MSH-së për kategoritë që do të vaksinohen sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19.