Drejtoria Komunale e Arsimit në Vushtrri ka ndarë 69 bursa për studentë të rregullt të nivelit Baqelor në Komunën e Vushtrrisë për vitin akademik 2020/2021. Deri më tani 38 studentë kanë qenë përfitues të bursës, ndërsa pritet që edhe 31 studentë të tjerë të përfitojnë shumë shpejt nga kjo bursë.
Për dallim nga vitet e kaluara, Komuna e Vushtrrisë këtë vit ka dyfishuar numrin e bursave të cilat i ka ndarë për studentët e komunës.
Me këtë rast, kryetari i komunës, Xhafer Tahiri, së bashku me nënkryetarin, Afrim Namani dhe me drejtoreshën e arsimit, Ragbete Krasniqi, sot kanë mbajtur një takim me studentët përfitues të bursës komunale si dhe me nxënësit e shpërblyer në gara komunale.
“Jam i lumtur qe kemi arrit këtë vit të dyfishojmë numrin e bursave mirëpo nuk është ende mjaftueshëm, ende ka shumë punë për të bërë megjithatë dyfishimi i numrit të bursistëve të komunës sonë është një arritje që ia vlenë të flasim për të”, u shpreh kryetari Tahiri.
Kryetari Xhafer Tahiri ndër të tjera tha se Komuna do të vazhdoj të mbështetës nxënësit dhe studentët e dalluar edhe në vazhdim me projektet e radhës dhe i inkurajoi të rinjtë që të kenë ambicie të larta në mësime dhe të vazhdojnë të punojnë edhe më shumë.