Sot, në Komunën e Malishevës, të organizuara nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa, janë mbajtur tri konsultime publike për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2022-2024 për Komunën e Malishevës. Konsultimet janë mbajtur me përfaqësuesit e fshatrave, me OJQ-të dhe bizneset, me komitetet komunale.
Në këto takime, drejtori i Drejtorisë për Buxhet Financa, Valon Mazreku, e ka paraqitur KAB-in për vitet 2022-2024, e në veçanti buxhetin për vitin 2022, i cili ishte më me interes për pjesëmarrësit, me qëllim të orientimit të buxhetit, sidomos për investimet kapitale.
Sipas drejtorit Mazreku, buxheti i planifikuar për Komunën e Malishevës, për vitin 2022, është 15 milion e 655 mijë e 757 euro, apo rreth 530 mijë euro më i lartë se buxheti i vitit 2021.
Gjatë këtyre takimeve, pjesëmarrësit kanë dhënë mendimet e tyre për orientimin e buxhetit për investime, ku si zakonisht kanë dominuar propozimet për investime në infrastrukturën në përgjithësi, por janë dhënë edhe propozime për investime në arsim e shëndetësi, e po ashtu edhe për më shumë subvencione në të gjitha fushat.