Organizata Save the Children ka shpallur sot shtatë fituesit e garës së vizatimit “Mbro Arsimin Tonë”, në të cilën garë nxënësit kanë paraqitur përvojën e tyre gjatë mësimit në distancë dhe ndikimin që ka pasur pandemia tek fëmijët.
Kjo garë e vizatimit ishte pjesë e aktivitetit të 1 qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, e që si shpërblim nxënësve iu është dhuruar nga një tablet për t’iu ofruar qasje më të lehtë në mësimin online.
Drejtori i organizatës Save the Children, Ahmet Kryeziu, tha se kjo garë e vizatimit është organizuar në kuadër të fushatës “Mbro Arsimin Tonë” që është fushatë globale e Save the Children International.
Ai tha se për shkak të pandemisë COVID-19 për herë të parë në histori të njerëzimit një gjenerate të tërë i është penguar edukimi, ku tha se vlerësohet se globalisht 1.6 miliardë nxënës kanë qenë jashtë shkollës.
Kryeziu: U ka mundësuar fëmijëve që të paraqesin përvojat e tyre në mësimin nga distanca
“Kjo garë u dha mundësinë fëmijëve të paraqesin dhe ndajnë përvojat e tyre në mësim nga distanca dhe për ndikimin që mësimi në distancë ka pasur tek fëmijët, po ashtu hapësirën të grisin zërin përmes artit tek personat përgjegjës për adresimin e sfidave në arsimin cilësor dhe kthim të sigurt në shkollë. Përmes garës së vizatimit në kuadër të kësaj fushate Save the Children po ashtu ka punuar me grupe të fëmijëve që të dizajnojnë fushatat e tyre për të avokuar tek organet kompetente për të adresuar problemet të cilat kanë qenë relevante në lidhje me arsimin nga distanca apo arsimin online. Fushata ‘Mbro arsimin tonë’ kërkon dhe ne si OJQ që të gjithë fëmijët të vazhdojnë të mësojnë nga distanca përderisa shkollat janë të mbyllura dhe që ky mësim të jetë gjithëpërfshirës, çdo fëmijë të mbështetët, të kthehet në shkollë”, tha ai.
Udhëheqësja e Divizionit për arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta në MAShTI, Lulavere Behluli, tha se pandemia ka qenë sfiduese për ta si institucion, por që u shpreh se përkundër të gjithave kanë arritur që të organizojnë mësimin online.
Behluli: Sfiduese ka qenë periudha e mësimit gjatë pandemisë
“Ne shumë shpejt jemi organizuar që ta ofrojmë mësimdhënien në distancë përmes platformave të ndryshme të cilat janë ofruar për shkollat dhe nxënësit në mënyrë që të menaxhohet kjo. Natyrisht që përveç kësaj, Ministria e Arsimit në bashkëpunim me partnerët ka ofruar udhëzues, instruksione të ndryshme për DKA-të, për shkollat, për mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit se si ta menaxhojnë këtë situatë dhe si ta zhvillojnë punën dhe procesin edukativo-arsimor në kohën e pandemisë. Natyrisht që sfiduese ka qenë kjo periudhë për faktin që jo të gjithë kemi qenë të përgatitur që ta përdorim teknologjinë e cila ka qenë një prej formave bazë të mësimit gjatë kësaj periudhe, jo të gjithë kemi pasur pajisje, jo të gjithë kemi pasur njohuri se si t’i shfrytëzojmë pajisjet, mirëpo mendoj që me gjithë këto sfida dhe vështirësi që kemi pasur kemi arritur në njëfarë forme ta menaxhojmë këtë situatë”, tha ajo.
Kryetari i Komisionit për Arsim nga Grupi i fëmijëve Respect Our Rights, Drion Shaqiri, ka paraqitur vështirësitë kryesore që nxënësit kanë pasur gjatë mësimit online, derisa tha se e drejta për edukim është cenuar gjatë pandemisë.
Shaqiri: E drejta për edukim është cenuar gjatë pandemisë
“E drejta për edukim është cenuar gjatë pandemisë, e drejtë kjo e cila garantohet nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nga Konventa ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve. Këtë fjali e ka dëshmuar, e ka pohuar dhe e ka konfirmuar vet hulumtimi. Problemet më të mëdha me të cilat janë përballur nxënësit e Kosovës në mësimin në distancë gjatë vitit shkollor të kaluar dhe këtij që sapo e lamë pas janë vështirësitë në përdorimin e platformave të ndryshme për të qenë pjesë e një ore mësimore në distancë, pjesa e qartësimit të detyrave, koncentrim i ulët, vështirësi në zhvillimin e detyrave nga shkencat natyrore kryesisht nga matematika. Të gjitha këto probleme janë të paraqitura sot këtu në 7 punime të mrekullueshme ku këto thonë që Kosova ka nevojë patjetër që të ketë një arsim të digjitalizuar dhe të ketë një platformë nacionale virtuale përmes së cilës të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës mund të arsimohen më lehtë në mësimin në distancë”, tha ai.
Po ashtu, ai tha se nxënësit e shkollave të Kosovës në të gjitha nivelet janë të pakënaqur me vlerësimin gjatë mësimit në distancë.
Në mesin e shtatë nxënësve fitues është edhe Brundila Sejdiu, nxënëse e klasës së nëntë në shkollën fillore të mesme të ulët “Ismet Raci” në Klinë, e cila tha se përmes pikturës së saj ka dashur ta paraqes stresin që kanë pasur gjatë mësimit online dhe platformat që kanë përdorur.
Sejdiu: Kam shprehur se çfarë ka ndodhur gjatë mësimit online
“Ndjehem shumë e lumtur që jam njëra ndër 7 fituesit e këtyre punimeve që janë përzgjedhur më të mira. Tek piktura që e kam bërë unë kam shprehur se çfarë ka ndodhur gjatë mësimit online që ka ndodhur tek çdo nxënës, sepse viti që kemi kaluar nuk ka qenë një vit aq i zakonshëm si çdo vit tjetër. Edhe tek kjo pikturë që e kam bërë jam munduar me shpreh të gjitha gjërat që kanë ndodhur dhe stresin edhe të gjitha platformat që kemi përdorur. Edhe pse ka qenë stresuese tani jemi në një gjendje më të mirë edhe jemi përsëri në shkolla, por besoj që tani gjërat do të vijnë më mirë dhe shpresoj se diçka që kemi kaluar si mësimi online nuk do të përsëritet, sepse ka qenë një gjë shumë stresuese”, tha ai.
Fushata “Mbro Arsimin Tonë” është një fushatë globale e Save the Children International që përqendrohet në urgjencën globale të arsimit të shkaktuar nga pandemia COVID-19.