Ministret e Arsimit në Kosovë dhe Shqipëri, Evis Kushi dhe Arbërie Nagavci, janë takuar me njëra-tjetrën dhe kanë biseduar për vijimin e bashkëpunimit në fushën e Arsimit dhe Shkencës, si dhe punës intensive për zbatimin e plotë dhe efikas të marrëveshjeve të deritanishme mes dy vendeve.
Kushi ka thënë se synimi i përbashkët është thellimi i bashkëpunimit me takime të përbashkëta jo vetëm në nivel ministror apo qeveritar, por edhe në nivel të institucioneve arsimore, me trajnime për mësuesit, shkëmbim eksperiencash për mësues e nxënës, aktivitete shkencore e konferenca për studentë e pedagogë, si dhe angazhimin për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.
Ndërkohë, në shkollën 9-vjeçare “Misto Mame” në Tiranë, e cila është e binjakëzuar me shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, Kushi dhe Nagavci zhvilluan një takim dhe bashkëbisedim me mësues, nxënës.
Poashtu edhe me disa drejtues shkollash të cilat kanë projekte binjakëzimi me shkolla të ndryshme në Kosovë.