​Muharremaj i bindur se do të fitojë edhe një mandat: Përmbusha të gjitha premtimet

Kosova

​Muharremaj i bindur se do të fitojë edhe një mandat: Përmbusha të gjitha premtimet

Më: 3 korrik 2021 Në ora: 14:32
Bali Muharremaj

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, po shprehet i bindur se do të marrë besimin e qytetarëve edhe për një mandat qeverisës. Kjo pasi thotë se ka përmbushur të gjitha premtimet e dhëna gjatë fushatës, madje i ka tejkaluar ato.

Muharremaj në një intervistë për KosovaPress tregon për projektet që ka realizuar gjatë mandatit katër vjeçar, sfidat dhe problemet që i kanë si komunë.

Kreu i Suharekës, thotë se çdo ditë e nis në terren për t’u takuar me qytetarë, për t’i dëgjuar hallet dhe brengat e tyre.

Muharremaj: Për qytetarin e Suharekës është me rëndësi puna dhe unë prapë do të vazhdojë me punë

“Ne në program jemi duke punuar, ndoshta është herët me dalë me program, po unë e di veç një send që për qytetarin e Suharekës është më rëndësi puna, e vlerësojnë punën, është një Komunë që më të vërtetë e vlerëson atë që punon dhe atë që nuk punon. Unë prapë do të vazhdojë me punë, jam afër qytetarit, për qytetarin dhe vazhdimisht me qytetarin”, thotë ai.

Premtimet që i kishte dhënë në vitin 2017, Muharremaj thotë se jo vetëm që i ka realizuar por i ka tejkaluar ato. E pikërisht kjo, thotë se është arsyeja se pse ai do të jetë në krye të Suharekës edhe për katër vitet e ardhshme.

Vetëm në fushën e arsimit, Muharremaj potencon se për katër vite kanë ndërtuar shkolla e çerdhe me buxhet të komunës.

Muharremaj: Atë çka kam premtuar jo që e kam realizuar, por e kam tejkaluar

“Atë çka kam premtuar jo që e kam realizuar, por e kam tejkaluar. Në rend të parë nëse fillojmë për shembull prej arsimit, kemi bërë shkollë me buxhet komunal për 1 vit, me para të komunës kemi bërë sallë sportive. Kemi pajisur mund të them 98 përqind të gjitha shkollat me kabinete dhe me laboratorë, kemi pajisur sallat sportive me të gjitha mjetet që janë më moderne. Kemi premtuar katër çerdhe dhe po i bëjmë tetë çerdhe të fëmijëve, që pesë veç janë në funksion, dy janë duke qëndruar të gatshme po për shkak të normave nuk ka punëtorë ne atëherë pa na dhënë leje ministria e Arsimit ne nuk mund të fillojmë dy çerdhe të reja t’i bëjmë dhe çerdhen tjetër që jemi duke e bërë në qytet që është diku 1 mijë e 700 metra katror”, thotë ai.

Kreu i Suharekës deklaron se kanë bërë investime edhe në infrastrukturë, teksa përmend edhe rregullimin e trotuareve, rrjetit të kanalizimit nëpër fshatra e qytete.

Theks të veçantë i jep rregullimit të sheshit të qytetit, për të cilin thotë se i ka dhënë një pamje shumë më të bukur qytetit që e udhëheq.

Po ashtu, ai përmend edhe subvencionimin që kanë bërë për lindjet në Komunën e Suharekës me nga 250 euro.

Muharremaj: Sheshi veç ka përfunduar që është në të mirë të qytetarëve

“Me kilometra kanalizime, me kilometra trotuare, me kilometra rrugë me kubëza, me asfalt, unaza të reja, në qytet dy unaza të reja që diku kushtojmë 5 milionë euro, njashtu sheshi veç ka përfunduar që është në të mirë të qytetarëve...Nëse flasim tek shëndetësia, mund të them lirisht që është e rregulluar, nuk di a ka në Kosovë në ndonjë komunë kur katër qendra të mjekësisë familjare punojnë me dy ndërrime deri në orën 22. Punon rëntgeni me dy ndërrime, punon laboratori, punojnë edhe katër laboratorë të biokimisë nëpër fshatrat e mëdha që janë, kemi dy kerre të ndihmës së shpejtë që kemi dërguar nëpër fshatra të mëdha. Kështu që, ato që kemi folur në shëndetësi, por pikëpyetje çdo herë është faktori njëri. Sa i përket pajisjeve teknikës, të gjitha këto janë të kryera, mirëpo gjithmonë është tek faktori njëri dhe kemi pasur probleme kohën fundit për shkak që kanë shkuar një numër mjaftë i madh në specializim përmbi 50 mjekë”, thotë Muharremaj.

Pandemia deklaron se ka ndikuar negativisht edhe në komunën që e udhëheq, derisa thotë se si komunë u kanë dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve.

Muharremaj potencon se kanë shpërndarë mbi 3 mijë pako ushqimore, ndërsa mbi 400 mijë euro iu janë ndarë bizneseve të kësaj komune.

Qytetarët e Suharekës, sipas Muharremajt thotë se po i përgjigjen pozitivisht thirrjes për t’u vaksinuar kundër COVID-19, ku bënë të ditur se deri më tani janë vaksinuar mbi 11 mijë qytetarë të kësaj komune.

Muharremaj: Janë vaksinuar mbi 11 mijë qytetarë në Komunën e Suharekës

“Janë duke iu përgjigjur thirrjeve, do të thotë para tri ditëve i kam pasur informatat e sakta, janë vaksinuar mbi 11 mijë qytetarë në Komunën e Suharekës. Vaksinimi është duke vazhduar tek salla sportive e Gjimnazit për shkak të kushteve më të mira, punojnë tri ekipe, punohet në dy ndërrime. Tollovi nuk ka, rende nuk, sa kemi vaksina që na sjellin nga Ministria ne ato i shtimë në përdorim dhe i ftojmë qytetarët. Kemi probleme shumë të mëdha me insulina që nuk ka edhe në treg me u gjet, kjo është një detyrë dhe një obligim i Ministrisë, por një ashtu vazhdimisht ne furnizohemi edhe me barna esenciale”, thotë ai.

Krejt në fund, i pari i Komunës së Suharekës Bali Muharremaj, flet për bashkëpunimin me nivelin qendror. Thotë se si kryetar ka pasur dhe vazhdon të ketë bashkëpunim me të gjitha qeveritë që janë ndërruar gjatë kësaj kohe, mirëpo përmend që kohët e fundit janë larguar nga buxheti disa projekte që më herët veçse ishin paraparë të realizohen.

Muharremaj: Janë hequr disa projekte të Komunës së Suharekës

“Kemi pasur një bashkëpunim, mirëpo kohët e fundit tash janë hequr disa projekte të Komunës së Suharekës, diku vlera e tyre është përafërsisht 2 milionë euro që më të vërtetë për neve si Komunë vogël ajo na pengon shumë. Janë hequr disa rrugë, është hequr rezervuari i ujit që ka pasur të furnizojë qytetin 24 orë me pas ujë, mandej kemi pasur edhe shtratin e lumit, mirëpo sidoqoftë janë vendime të qeverisë”, thotë ai.

Zgjedhjet lokale do të mbahen me 17 nëntor 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat