Ministria e Shëndetësisë nuk është duke siguruar sasinë e duhur të insulinës për qytetarët që kanë nevojë për të.
Për këtë ka reaguar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili i ka bërë thirrje MSH-së që të sigurojë sasinë e duhur për këtë kategori.
Ndër të tjera Haradinaj ka pyetur se duke ndjekur këtë rrugë çfarë shoqërie dëshirojmë ta ndërtojmë, ku të sëmurët kronik lejohet të vdesin nga pakujdesia.
Postimi i plotë:
Mbi 28 mijë qytetarë të Kosovës, prej tyre mbi 700 fëmijë, janë të regjistruar si marrës të insulinës.
Që nga vitet e para të pasluftës, Ministria e Shëndetësisë ka siguruar sasinë e duhur, me ndërprerje të vogla.
E drejta e pacientit me diabet është e garantuar me ligj. Donacionet nga jashtë edhe pse të mirëseardhura, nuk janë zgjidhje e problemit.
Ka tre muaj, që diabetikët nuk e kanë ndjerë dorën e shtetit. Insulinat mungojnë plotësisht.
Çfarë shoqërie duam të ndërtojmë? Shoqëri ku të sëmurët kronik lejohet të vdesin nga pakujdesia?
Urgjentisht, Ministria e Shëndetësisë duhet të sigurojë sasinë e duhur të insulinës dhe të ketë strategji të qartë që mos të ketë ndërprerje të këtilla.
Ky është edhe vet qëllimi i pushtetit: të kujdeset për qytetarët.