Imami i xhamisë në fshatin Dobërçan të Gjilanit, Junus Ramadani, ka përgënjeshtruar lajmin se kinse sot në këtë xhami ka ndodhur një rrahje mes xhematit.
Përmes një reagimi, Ramadani ka thënë se problemi mes dy familjeve, nuk ka asnjë lidhje me xhaminë, xhematin apo imamin.
“Ajo që është shpërnda nëpër disa portale, kinse sot ka ndodh një rrahje në xhaminë e Dobërcanit, është plotësisht e pa vërtetë. As imami as xhemati që kanë falë sabahun dhe xhumanë në atë xhami, nuk ka parë asgjë të tillë. Një problem që ka ndodhë mes dy familjeve, është çështje personale mes tyre, çështje e izoluar e tyre dhe nuk ka ndodhë e as nuk ka asnjë lidhje me xhami, xhemat apo imam”, ka thënë Ramadani.
“Andaj kërkojmë nga ato media, para se t’i postojnë lajmet, t’i verifikojnë ato, e mos të abuzojnë me imazhin e xhamisë dhe fesë. Nuk është hera e parë që dëgjojmë lajme të tilla tendencioze në vendin tonë. Në të kundërtën do të përballen me akuzën për shpifje. Kurse kërkojmë nga organet e rendit, që të merren me rastin dhe ta zgjedhin atë. Lusim Allahun që problemet e kësaj shoqërie të pakësohen”, ka shtuar imami i xhamisë së Dobërcanit, Junus Ramadani.