Magjistralja Vushtrri-Skenderaj do të bllokohet të dielën nga banorët e katër fshatrave të Vushtrrisë për mos-pagesën e shpronësimit të pronave të tyre për ndërtimin e rrugës Vushtrri-Skënderaj.
Banorë të fshatrave Brusnik, Novolan, Dubovc, si dhe Beqiq të Komunës së Vushtrrisë, do të protestojnë këtë të dielë duke filluar nga ora 11:00 në segmentin rrugor në fshatin Dubovc.
Këshilli Organizativ i kësaj proteste ka njoftuar se banorët janë të vendosur për të fituar të drejtën e tyre për kompensim mbi pronën e shfrytëzuar nga institucionet në mënyrë të paligjshme, në kundërshtim me legjislacionin vendas për shpronësim.
“Jemi privuar arbitrarisht nga pasuria dhe trashëgimia jonë. Në pronën e banorëve të katër fshatrave është ndërtuar kjo rrugë, pa iu ofruar kompensim, madje dikush nga banorët ka humbur edhe të vetmen tokë bujqësore nga ku siguronte jetesën”, thuhet në reagimin e Këshillit Organizativ të protestës.
Po ashtu bëhet e ditur se banorët kanë kërkuar tash e sa vjet kompensimin, por asnjëherë nuk janë marrë parasysh nga institucionet kompetente. Përkundrazi janë maltretuar dhe endur derë më derë nëpër dikastere qeveritare qendrore e lokale duke mos iu dhënë përgjigje konkrete asnjëherë rreth (mos) kompensimit.
“Prandaj, këtë të diele bashkërisht do të protestojmë për të mbrojtur të drejtat tona që vijnë nga obligimi i institucioneve përkatëse për të kompensuar pronat që na janë marrë”, thuhet po ashtu në këtë deklaratë.