Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka bërë të ditur se në rajonin e kësaj komune ende po vazhdojnë vatrat e zjarrit.
Ai ka bërë të ditur se në dy ditët e fundit janë shfaqur shtatë vatra të zjarrit, ndërsa për momentin është një vatër e zjarrit.
“Momentalisht kemi një zjarr në Biraç, janë pyje mbi Suharekë. Zjarrfikësit janë duke e bërë punën e tyre. Gjendja është nën kontroll. Besoj se çdo gjë do të jetë nën kontroll. Ditët e fundit kemi pasur shtatë vatra të zjarreve. Patëm dëmtimin e katër hektarë të vreshtave dhe disa shtëpi që janë djeg për shkak të rrymës”, tha ai.
Muharremaj tha se faktori kryesor i vatrave të zjarrtit mbetet faktori njeri dhe për këtë ftoi policinë e Kosovës që të hetojë rastet dhe të dyshuarit të vihen para drejtësisë.
Ai tha se kanë formuar një komision i cili po verifikon dëmet e shkaktuara nga zjarret, ku do të përpilohet një raport i cili do t’i dërgohet kryeministrit të vendit për kompensim.