Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sa i përket furnizimit me ilaçin Remdesivir që nevojitet për pacientët me COVID-19, ka thënë se janë në përfundim të procedurave dhe se ilaçi do të jetë në klinika më së largu deri fillim të javës së ardhshme.
“Procedurat për remdesivir siç kam thënë, janë para përfundimit. Shpresoj deri në fund të javës të sigurohen. Nëse jo në fund të javës, atëherë në fillim të javës tjetër remdesiviri do të jetë në klinika tona”, ka thënë Vitia.
Ai ka folur edhe për vendimin e MSH-së që punonjësit e administratës publike duhet të posedojnë kartelë vaksinimi, test PCR apo test serologjik për t’u paraqitur në vende të punës.
“Qysh në fillim të korrikut kemi hapur dritare për të gjithë punonjësit e administratës publike që të vaksinohen sa më shpejt. E edhe në javën e fundit ka qenë po e njëjta mundësi. Natyrisht punonjësit e administratës publike që posedojnë certifikatë vaksinimi, test PCR apo serologjik jo më të vjetër se një javë, mund të vijnë në vende pune”, ka thënë Vitia.