​Vushtrria shpall “Qytetar nderi” veprimtarin Ramiz Tafilaj

Kosova

​Vushtrria shpall “Qytetar nderi” veprimtarin Ramiz Tafilaj

Më: 9 shtator 2021 Në ora: 14:39
Foto ilustrim

Komuna e Vushtrrisë i ka ndarë mirënjohjen "Qytetar nderi" veprimtarit të shquar shqiptaro-amerikan Ramiz Tafilaj, me motivacionin për kontributin e dhënë për afirmimin e çështjes kombëtare dhe për ndihmën ndaj studentëve të Vushtrrisë që kanë studiuar në SHBA.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, pasi i ndau mirënjohjen dhe i ka dhuruar çelësin e qytetit të Vushtrrisë, tha se janë mirënjohës përjetësisht për kontributin që Tafilaj ka dhënë për Kosovën dhe Vushtrrinë.

Tahiri tha se i janë mirënjohës edhe për afirmimin e çështjes kombëtare, e sidomos në ruajtjen e raportit tejet të veçantë të Kosovës me SHBA-të.

Tahiri: Tafilaj ka dhënë kontribut të veçantë për afrimin e çështjes kombëtare

"Z.Ramiz Tafilaj t'i ndaj titullin ‘Qytetar nderi’ i Vushtrrisë, me motivacionin për kontributin e dhënë për afirmimin e çështjes kombëtare, për ndihmën e dhënë studentëve dhe përkrahjen e studentëve me bursa dhe po ashtu për afirmimin e kulturës dhe historisë shqiptare përmes shtëpisë botuese duke botuar vepra të rëndësishme, siç është vëllimet ‘Kosova’ të autorit Jusuf Buxhovi në gjuhën angleze në SHBA. [...] Në emër të qytetarëve të Vushtrrisë ju jam përjetësisht mirënjohës për kontributin që e keni dhënë, për përkrahjen që keni dhënë studentëve nga Vushtrria për të arritur suksese në lëmitë ku ata kanë zgjedhur të studiojnë. Po ashtu, ju jam mirënjohës për kontributin që po jepni vazhdueshëm në afirmimin e çështjes kombëtare, e sidomos në ruajtjen e raportit tejet të veçantë të Kosovës me SHBA-të", tha Tahiri.

Tahiri dhe se tashmë “Qytetari i nderit” i Vushtrrisë që nga fillimi ka qenë së bashku me ish-presidentin historik Ibrahim Rugova, duke ndihmuar për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Veprimtari Ramiz Tafilaj, u shpreh i nderuar me vlerësimin që i është bërë punës së tij nga Komuna e Vushtrrisë.

Ai tha se për të është privilegj që do të jetë “Qytetar nderi” i qytetit të Hasan Prishtinës, teksa premtoi se do të vazhdojë të jap kontribut për të rinjtë e Kosovës.

Tafilaj: Ky titull shumë i rëndësishëm për mua

"Ky shpërblim dhe shpërblimi i intelektualëve të Deçanit për mua është tepër i rëndësishëm, i Deçanit për arsye se është vendlindja ime dhe bashkëpunëtorët e mi ma njohën vlerën, po edhe Vushtrria për arsye se është qyteti më i vjetër i Kosovës dhe pikërisht kjo më bënë mua më të afërt me Kosovën dhe me Vushtrrinë. Edhe pse mirënjohja e presidentit amerikan e ka një vlerë të vetën të veçantë, asnjëherë nuk kam pritur me marrë shpërblim as nga kryetari amerikan, as prej Vushtrrisë as prej Deçanit, as nuk kam ditur që dikush ma këqyrë punën time, po për këtë ju falënderoj ata që kanë punuar me mua gjatë viteve, gjatë dekadave", tha ai.

Tafilaj i ka dhuruar të parit të Vushtrrisë librat e autorit Jusuf Buxhovi në gjuhën angleze, të cilat janë botuar nga vet ai në ShBA.

Historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi çmoi shumë punën e Ramiz Tafilajt, duke folur për rëndësinë që ka botimi i librave edhe në gjuhën angleze.

Ai tha se falë punës së Tafilajt, librat e tij si “Kosova”, jo vetëm që janë botuar në Amerikë, por janë bërë edhe pjesë e literaturës alternative në universitetet amerikane.

Buxhovi: Tafilaj bëri që “Kosova”, “Maqedonia” dhe “Dardania” të botohen në anglisht

“Ndjehem mirë sepse z. Tafilaj është botuesi im, i cili ka bërë që vepra ime ‘Kosova’ 8 volume, por jo vetëm ‘Kosova’, por edhe ‘Maqedonia’, tash ‘Dardania’ të botohen në anglisht, jo vetëm që të botohen, por edhe të jenë pjesë e institucioneve shkencore-hulumtuese në SHBA. Do të thotë është dritarja e parë dhe më e rëndësishme që i jepet një vepre. [...] Rezultati i kësaj është se sot këto libra janë edhe literaturë alternative në universitetet amerikane në Evropën Juglindore. Do të thotë këto libra janë në konkurrencë me veprat tjera të autorëve që shkruajnë për hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe për Kosovën”, tha Buxhovi.

Veprimtari Ramiz Tafilajt është nderuar edhe nga ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ku i është ndarë çmimi për arritje jetësore.

Ramiz Tafilaj ka lindur në vitin 1949 në fshatin Dubravë të Deçanit, ndërkohë që në moshë të re ka emigruar në SHBA ku tani zhvillon aktivitetin e tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat